Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 22

Fajet e Jerusalemit

31 vargje

Fajet e Jerusalemit

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»E ti, biri i njeriut, a do ta gjykosh, vallë, a do ta gjykosh qytetin gjakatar?

3Dëftoja të gjitha poshtërsitë e tija dhe thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Qytet që derdh gjak në mesin tënd, për të bërë që të vijë dita, qytet që ka ndërtuar idhuj në tokën tënde për t’u fëlliqur!

4Me gjak që derdhe u bëre fajtor, u fëlliqe me idhuj që ti i punove: bëre që të afrohen ditët e tua dhe bëre të marrin fund vitet e tua. Për këtë arsye të bëra turpin e paganëve e përqeshjen e të gjitha vendeve.

5Të afërmit e të largëtit do të ngadhënjejnë mbi ty, qytet i përmendur për ndotje, i madh për kryeneçësi!

6Ja, të gjithë princat e Izraelit - secili në dorën e vet - ndenjën gati për të derdhur gjak!

7Në ty nënë e babë janë të përbuzur, në mesin tënd ndrydhet ardhacaku, bonjak e vejushë në ty merren nëpër këmbë!

8S’ke nderim për gjërat e mia të shenjta, të shtunat e mia i prish!

9Në ty ka njerëz që shpifen për të derdhur gjak, në ty hanë në lartësi, në mesin tënd bëhen turpësi!

10Në ty zbulohet lakuriqësia e babait, në ty dhunohen gratë në gjendje të papastër!

11Njëri bën fëlligështi në gruan e të afërmit të vet, një tjetër me vepër të turpshme e çnderon të renë; vëllai motrën, bijën e babait të vet, e dhunon në ty!

12Në ty vrasin njerëz me para! Ti huajon me ujem e me shtesë, me dhunë e plaçkit të afërmin tënd e mua më harron - thotë Zoti Hyj.

13Ja, unë i rrah shuplakat për shkak të cubnive që ti i bëre e për shkak të gjakut që në ty u derdh.

14A do të qëndrojë zemra jote e do të mund të bëjnë ballë duart e tua në ditët që unë po i bëj gati për ty? Fola unë Zoti e do të bëj:

15do të të shpërngul ndër paganë, do të të tres në toka të huaja që ta heq prej teje të gjithë papastërtinë;

16në ty do ta çnderoj vetveten në sy të paganëve e atëherë do ta dish se unë jam Zoti.«

17Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

18»Biri i njeriut, shtëpia e Izraelit m’u kthye në bramcë: të gjithë këta: argjend, bakër, tuç, hekur e plumb në furrë - janë zgjyrë!

19Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të gjithë jeni bërë bramcë, këndej edhe vetë do t’ju bashkoj në Jerusalem,

20ashtu siç mblidhet argjendi, bakri, hekuri, plumbi e tuçi në furrë e ndizet zjarri për shkrirje: kështu edhe vetë do t’ju bashkoj në felgrimin tim e në zemërimin tim do t’ju hedh e do t’ju shkrij.

21Do t’ju bashkoj e do t’ju djeg në zjarrin e felgrimit tim dhe do të shkriheni midis tij!

22Sikurse shkrihet argjendi në furrë, po ashtu do të shkriheni midis tij. Atëherë do ta dini se unë Zoti e zbraza hidhërimin tim mbi ju.«

23Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

24»Biri i njeriut, thuaj: Ti je një vend, mbi të cilin nuk ra shi as breshër në ditën e zemërimit,

25princat e të cilit janë në ty porsi luani ulëritës që shqyen prenë. Ata i kanë përpirë gjinden, u rrëmbyen pasuri e gjëra të çmueshme, në mesin tënd i shumuan vejushat!

26Priftërinjtë e tu e kanë prishur Ligjin tim dhe i dhunuan shenjtëroret e mia. Ndërmjet gjësë së shenjtë e jo të shenjtë nuk bënë dallim dhe nuk mësuan të bëhet dallim midis së pastërtës e të papastërtës, të shtunat e mia as s’i shikuan me sy dhe unë isha i çnderuar në mesin e tyre.

27Prijësit e tij në mesin e qytetit, porsi ujqit grabitqarë présh për të derdhur gjak, për të vrarë njerëz, të dhënë pas plaçkës.

28Profetët e tij ua zbardhnin të gjitha me gëlqere duke u parakallëzuar kotësi e paraparë rrena, thonin: ‘Kështu thotë Zoti Hyj’, kur Zoti nuk kishte folur!

29Populli i vendit e ka shtuar dhunën e cubninë, skamnorin e të vobekëtin e shtypte e ardhacakun e ndrydhte pa farë arsyeje.

30E kërkova ndër ta një njeri, i cili do ta ndërtonte një pritë ndërmjet meje e tij e të dilte përpara meje në grykë në të mirën e vendit që unë të mos e shpartalloja, por nuk e gjeta.

31Atëherë e zbraza mbi të felgrimin tim, i zhbiva me zjarrin e zemërimit tim. Bëra që sjellja e tyre të bjerë mbi kokën e tyre - thotë Zoti Hyj.«