Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 24

Lajmërim për rrethimin e Jerusalemit, Vuajtjet vetiake të profetit

27 vargje

Lajmërim për rrethimin e Jerusalemit

1Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, të dhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: Më tha:

2»Biri i njeriut, shënoje me shkrim datën e ditës së sotme, sepse shi sot mbreti i Babilonit do ta sulmojë Jerusalemin.

3Thuaj kësaj shtëpi kryekëcyer një fjalë në shëmbëlltyrë. Thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Vëre në zjarr kusinë, vëre - të them e në të qit ujë!

4Qit në të copa mishi, pjesët më të mira kofshë e shpatull; mbushe me eshtra të zgjedhur.

5Merre më të mirën prej grigjës. Për nën të shtjer mjaft dru le të vlojë fort e për një kohë të gjatë e të zihen edhe eshtrat në të!

6Sepse Zoti Hyj thotë kështu: Mjerë qyteti gjakatar, mjerë kusia që është ndryshkur ndryshku i së cilës nuk i hiqet! Copë nga një copë prej saj nxirri por mbi të short mos qit,

7sepse gjakun e ka brenda, e zbrazi mbi shkëmb të lëmuar, nuk e zbrazi përmbi tokë që me pluhur të mund të mbulohej.

8Që në mua të ndizej felgrimi, që të hakmerrem, gjakun ia derdha në shkëmb të lëmuar që të mos mb’lohet.

9Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë qyteti gjakatar, për të cilin do të ndez zjarr të madh.

10Bashko dru, ndeze zjarrin, zije mishin der’që të shkrihet, shteri lëngun deri edhe eshtrat të digjen!

11Kusinë lëre zbraztë mbi prush, që të nxehet e bakri të skuqet, le të shkrihet ndotësia e saj le të zhbihet ndryshku që ka.

12Ç’ mund i madh! Porse ndryshku i shumtë i saj jo s’do të hiqet, as zjarri nuk ia heq dot!

13Mëkati yt është i tmerrshëm! Desha të të pastroj, por s’u pastrove nga ndyrësitë e tua! Por as nuk do të pastrohesh para se unë ta kem zbrazur kundër teje krejt felgrimin tim!

14Unë, Zoti, fola e fjalën time do ta çoj në vend: s’do të përdëllej as s’do të fal as s’do të pajtohem. Do të të gjykoj sipas sjelljes sate e sipas veprave të tua - thotë Zoti.«

Vuajtjet vetiake të profetit

15Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

16»Biri i njeriut, ja, unë po ta marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot!

17Dënes në heshtje, mos bëj gjëmë si bëhet zakonisht për të vdekur. Shallmin mbaje lidhur rreth kreje, mbathi këmbët e tua, mos e lidh gojën me rubë dhe mos ha drekë.«

18Në mëngjes i kisha folur popullit e në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes bëra si më kishte qenë urdhëruar.

19Populli më pyeti: »Pse nuk na tregon çfarë do të thotë kjo që po bën?«

20Unë iu përgjigja: »Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

21Thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do ta përdhunoj Shenjtëroren time, mburrjen tuaj të madhe, kënaqësinë e syve tuaj, dëshirën e shpirtit tuaj. Bijtë tuaj e bijat që i keni lënë do të bien prej shpatës.

22Bëni sikurse bëra unë: mos e mbuloni gojën me rubë e mos e hani bukën e vajtorëve,

23lidhni shallmet rreth kresë, mbathni sandalet në këmbë, mos u pikëlloni as mos qani, por cijzni për shkak të fajeve tuaja e secili njëri pas tjetrit le të dënesë.

24Ezekieli le t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai kur do të ndodhë kjo e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.

25E ti, biri i njeriut, ja, atë ditë, kur t’ua marr atyre fuqinë, shpatën e madhërisë, kënaqësinë e syve të tyre, gëzimin e shpirtit të tyre - bij e bija,

26ditën që të vijë te ti një i ikur e të të lajmërojë,

27shi atë ditë, po them, do të çelet goja e ti do të bisedosh me atë të ikur, do të flasësh e më s’do të jesh memec: do të jesh shenjë. Njerëzit do ta marrin vesh se unë jam Zoti.«