Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 25

II. PROFECI KUNDËR PAGANËVE, Kundër amonitëve, etj.

17 vargje

II. PROFECI KUNDËR PAGANËVE

Kundër amonitëve

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zoti:

2»Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah amonitët e parafol kundër tyre.

3Thuaju bijve të Amonit: Dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj! Kështu thotë Zoti Hyj: Pse thatë ‘Mirë e ka!’ për Shenjtëroren time pse e çnderuan e për tokën e Izraelit pse e shkretuan e për shtëpinë e Judës pse i morën skllevër,

4për këtë arsye unë do të të dorëzoj bijve të lindjes për pronë. Në ty do t’i ngulin banishtat dhe çadrat e veta: ata do t’i hanë frytet e prodhimeve të tua e do ta pinë qumështin tënd.

5Rabatin do ta bëj kullotë gamilesh e tokën e bijve të Amonit vathë bagëtish e do ta dini se unë jam Zoti.

6Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pse duartrokite, pse rrahe me këmbë e pse me gjithë shpirt u kënaqe në lidhje me tokën e Izraelit,

7këndej edhe vetë do ta çoj dorën time kundër teje, do të të bëj pre popujsh, do ta tres farën ndër popuj, do të të zhduk nga gjiri i popujve, do të të zhbij krejtësisht e atëherë do të shohësh se unë jam Zoti.«

Kundër Moabit

8Kështu thotë Zoti Hyj: »Pasi Moabi e Seiri thanë: ‘Ja, pra, shtëpia e Izraelit është si të gjithë popujtë’,

9e mirë, unë do t’ia hap ijën Moabit, unë do ta lë pa qytetet, pa qytete po them të tija në mbarë vendin e tij, që janë stolia e vendit: pa Betiesimotin, pa Baalmeonin, pa Kariataimin.

10Do ta lëshoj në duar të bijve të Lindjes për pronë së bashku me amonitët, që bijtë e Amonit të mos përmenden më ndër popuj.

11Kështu do ta kryej gjyqin mbi Moabin e do ta dinë se unë jam Zoti.«

Kundër edomitëve

12Kështu thotë Zoti Hyj: »Pasi Idumeja u hakmor kundër shtëpisë së Judës e me këtë hakmarrje mëkatoi rëndë duke kërkuar prej tyre ahmarrje,

13prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Do ta shtrij dorën time kundër Idumesë dhe do të zhduk prej saj njerëz e kafshë. Do ta kthej në shkretëtirë: nga Temani deri në Dedan të gjithë do të bien nga shpata.

14Kështu do t’i ahmerrem Idumesë me anë të dorës së popullit tim Izraelit. Ata do të sillen me Edomin sipas furisë e felgrimit tim e do ta njohin ahmarrjen time - thotë Zoti Hyj.«

Kundër filistenjve

15Kështu thotë Zoti Hyj: »Pasi filistinët vepruan me ahmarrje dhe u ahmorën me tërbim duke vrarë dhe e çuan në vend armiqësinë e përhershme,

16prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e çoj dorën time kundër palestinezëve: do t’i vras ceretenjtë, do t’i zhbij të gjitha tepricat e bregut të detit!

17Kështu do të bëj kundër tyre një ahmarrje emnesë duke i ndëshkuar me tërbim e, kur ta kem kryer ahmarrjen time, atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.«