Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 26

Kundër Tirit

21 vargje

Kundër Tirit

1Të njëmbëdhjetin vit, të parën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»Biri i njeriut, pasi Tiri tha kundër Jerusalemit: Ah sa mirë! U thye dera e popujve, u kthye kah unë, tash do të pasurohem; ai u shkretua -

3prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, në shpinë më ke, o Tir, kundër teje po i nis popuj të shumtë, siç tërbohet deti me valë të veta!

4Do t’i rrafshojnë muret e Tirit e do t’i shembin kullat e tija, pluhurin e tij do ta zhduk do ta bëj rrasë të lëmuar!

5Vend për terje rrjetash në det do ta bëj, sepse kështu thashë unë - thotë Zoti Hyj! Pre popujsh do të jetë!

6Edhe bijat e tija që janë në fushë, me shpatë do të priten e do ta dinë se unë jam Zoti.

7Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e nis kundër Tirit Nabukodonozorin, mbretin e Babilonit, nga Veriu - mbretin e mbretërve, me kuaj e me karroca lufte, me kalorës, me ushtri të madhe, me popull të panumërt.

8Bijat e tua që janë në fushë do t’i presë me shpatë, kurse ty do të rrethojë me llogore, rreth e rreth penda do të ngrehë, kundër teje do të ngrehë mburojat!

9Tënda deshësh do t’u mbështesë mureve, pirgjet e tua do t’i shkatërrojë me vegla lufte të veta!

10Prej vërshimit të kuajve të tij do të të mbulojë anembanë pluhuri! Nga rropama e kujave e të qerreve do të dridhen muret e tua, kur të përshkohet nëpër dyer të tua, si hyhet në qytet të rrafshuar!

11Me thundra të kuajve të vet do t’i shklasë mbarë rrugët e tua, popullin do ta presë me shpatë, shtyllat tua do t’i shembë përdhe.

12Pasurinë do ta rrëmbejnë, mallrat tua do t’i plaçkisin, muret tua do t’i rrafshojnë, do t’i rrënojnë shtëpitë e buk’ra, gurë e lëndë e pluhurin tënd në midis të detit do t’i hedhin!

13Do të bëj të mejë tingulli i këngëve tua, do të pushojë zëri i cetrave të tua!

14Do të të shndërroj në shkëmb të thatë, do të jesh vend ku thahen rrjetat, kurrë më kryet s’do ta çosh, sepse unë, Zoti, thashë!« - thotë Zoti Hyj.

15Kështu i thotë Zoti Hyj Tirit: Vallë, nga rropama e rënies sate e nga gjëma e të plagosurve të tu, kur do të bëhet një emnesë në ty, a nuk do të dridhen edhe ishujt?

16Të gjithë prijësit e detit do të zbresin nga fronet e veta, do t’i hedhin leshnikët e vet e do t’i flakin teshat e veta të larmishme, do të vishen me tmerr, do të ulen për rrafshit, shtang do të mbesin prej habie mbi ty.

17Do të fillojnë të vajtojnë mbi ty e do të thonë: »Po si humbe kështu, ti që banoje në det, qytet i përmendur, që ishe i fortë në det, bashkë me banorët e tu që të gjithë frikë të kishin!

18Tashti do të çuditen anijet ditën e rrënimit tënd, ishujt e detit do të tmerrohen për shkak të mbarimit tënd!«

19Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Kur të të bëj qytet të shkretë, porsi qytetet në të cilat askush s’banon, e kur mbi ty të sjell Humnerën e të të kenë mbuluar ujërat e shumta,

20do të zbres edhe ty me ata që zbresin në Nëntokë, te populli i vjetër e do të vendos në pjesët më të thella të tokës, në vende të shkretuara me shekuj, së bashku me ata që zbresin në Nëntokë, që kurrë më të mos banohesh, më s’do të jesh në tokën e të gjallëve.

21Do të të kthej në asgjë, më s’do të jesh, edhe nëse do të të kërkojnë, kurrë më nuk do të të gjejnë - thotë Zoti Hyj.«