Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 27

Vajtim mbi rrënimin e Tirit

36 vargje

Vajtim mbi rrënimin e Tirit

1Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit:

2»Ti, pra, biri i njeriut, nisja vajtimit mbi Tirin,

3dhe thuaj kundër Tirit që banon në hyrje të detit, që tregton me popujt e ishujve të panumërt: Kështu thotë Zoti Hyj: O Tir, ti që thoshe: ‘Jam i përsosur në pashi!’

4Kufijtë e tu në zemër të detit arrinë, ndërtuesit e tu me përpikëri të stolisën!

5Bredhi Saniri t’i punuan të gjitha brinjat, cedër Libani të sollën për ta ndërtuar direkun,

6lis Basani t’i punuan rremat, ndenjëset e tua prej fildishit të larzuara me qepariz Cetimi.

7Liri të larmë, të përpunuar prej Egjiptit veli yt në majë të direkut, mëndafshi e purpure prej Elisës ishte mbulesa jote!

8Banorët e Sidonit e të Aradit ishin rremtarët e tu; të dijshmit e tu, o Tir, u bënë detarët e tu.

9Pleqtë e Biblit në ty qëndronin për të ndrequr kur në ty gjë prishej. Të gjitha anijet me detarët e tyre ishin në ty për të këmbyer tregti;

10persianë, lutë e futë ishin në ushtri tënde - luftëtarët e tu shumë trima: në ty varën shqyt, përkrenare: ata të jepnin hijeshi!

11Djemtë e Aradit me ushtrinë tënde sogje bënin rreth mureve të tua, gamadët ruanin mbi pirgjet e tua. Mburojat i varnin në muret e tua e kurorëzonin bukur hijeshinë tënde.

12Për arsye të të gjithë pasurisë sate deri edhe Tarsisi me ty bënte tregti, për mallrat e tu jepnin argjend, hekur, tuç e plumb.

13Tregti me ty bënin deri edhe Javani, Tubali e Mosoku: këmbenin mallrat e tu me skllevër e me bronz.

14Ata të shtëpisë së Togormës të sillnin për mallra kuaj karrocash e shale dhe mushq në tregun tënd.

15Djemtë e Rodit me ty tregtonin. Tregtia e ishujve të shumtë ishin në dorën tënde: të paguanin të dhjetat me dhëmbë elefanti e me ebanoz.

16Me ty tregtonte Edomi pse kishe prodhime të shumta: për prodhime të tua sillnin karbunkul, purpur, me greshpe, me pëlhura të çmueshme, me korale e me rubina.

17Judenj e izraelitë me ty bënin tregti. Të sillnin për këmbim mallrash grurë dore së parë, balçëm, mjaltë, vaj e rrëshirë.

18Damasku me ty tregtonte pse kishe shumë prodhime, për mallrat e tu të çdo lloji këmbenin verë Helboni e lesh Sahari,

19verë prej Uzalit të jepnin për mallrat e tu: si këmbim sillnin hekur të punuar, kënellë e kallam të ëmbël.

20Dedani tregtonte me ty mbulojës kuajsh.

21Arabët e princat e Cedarit tregtonin me ty. Tregtonin me ty qengja, desh e cjep.

22Tregtarët e Sabës e të Reemës tregtonin me ty e për mallrat e tu sillnin erëra të mira, gurë të paçmueshëm dhe ar.

23Me ty tregtonin Harani, Keneja e Edeni. Shitësit e tu ishin Saba, Asiria e Kelmadi.

24Edhe këta tregtonin me ty: të veshme të shkëlqyeshme, tabare të purpurta e të larmishme, petka të ngjyrëngjyrshme, litarë të punuar mirë e fort të dredhur.

25Anijet e Tarsit mbartnin tregtitë e tua, ishe i begatshëm në zemrën e detit.

26Në detin e hapët të shpurën rremtarët e tu, por era e lindjes të fundosi në zemrën e detit!

27Pasuria jote, visaret e tua, mallrat e tu të shumtë, detarët e timonierët e tu, mjeshtrit e avarive, këmbyesit e tregtisë sate, të gjithë trimat luftëtarë, që në ty janë dhe e gjithë shumica jote do të fundosen në fund të detit ditën e mbarimit tënd!

28Në zërin e kushtrimit të timonierëve të tu do të tranden brigjet e detit!

29Prej anijesh do të zbresin të gjithë rremtarët, detarët e të gjithë timonierët e do të qëndrojnë në terik.

30Mbi ty thekshëm do të vajtojnë, me hidhërim të madh do të gjëmojnë, me pluhur kokat do t’i mbulojnë e do të zhgërryhen nëpër pluhur!

31Për ty kokat do t’i rruajnë e do të ngjeshen me grathore, me shpirt të pikëlluar ty do të të qajnë, gjëmë të hidhur për ty do të bëjnë!

32Do të fillojnë mbi ty vajtimin e do të të thonë: ‘Kush na ishte porsi Tiri që u shua, në fund të detit?!

33Kur nga deti zbrisnin tregtitë tua, i ngopje popuj të panumërt. Me pasuri të tua të mëdha me mallra të tregtisë sate i pasurove mbretërit e dheut!

34Tashti u hap deti e të përpiu, u plandose në ujëra të mëdha! Barkë e mallra e detarë të gjithë së bashku u fundosën në det!

35Për ty mbarë banorët e ishujve i mbuloi tmerri, u tmerruan mbretërit e tyre e mbuluan f’tyrën!

36Tregtarët e popujve fërshëlluan mbi ty! U bëre vend që shtjen tmerrin: kurrën e kurrës s’do të përtëritesh!«