Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 29

Kundër Egjiptit

21 vargje

Kundër Egjiptit

1Në të dhjetin vit, në të dhjetin muaj, të dymbëdhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit. Më tha:

2»Biri i njeriut, sille fytyrën tënde kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit.

3Fol e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, pritëm, o faraon, mbreti i Egjiptit, krokodil i madh, që shtrihesh sa gjerë gjatë në lumenjtë e tu e thua: ‘Imi është lumi, unë e krijova vetveten!’

4Do ta vë gërremçin në nofullat e tua, do t’i ngjis peshqit mbarë të të gjithë lumenjve për luspat e tua, do të të nxjerr jashtë lumenjve të tu, me të gjithë peshqit e lumenjve të tu të ngjitur për luspat e tua.

5Do të të hedh në shkretëtirë bashkë me të gjithë peshqit e lumenjve të tu. Do të përplasesh përmbi tokë, askush s’do të të çojë as s’do të të varrosë: Të dhashë për ushqim egërsirave të tokës e shpendëve të qiellit!

6Do ta dinë të gjithë banorët e Egjiptit se unë jam Zoti. Sepse ti ishe shkop kallami për shtëpinë e Izraelit.

7Kur në dorë të morën, ti u theve ti krejt dorën ua copëtove. Kur u mbështetën në ty, u theve e të gjithë i këpute në kryq!

8Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja unë po çoj kundër teje shpatën e do të vras njerëz e kafshë.

9Toka e Egjiptit do bëhet shkretëtirë dhe e pabanuar: do ta dinë se unë jam Zoti! Sepse ti the: ‘Lumi është imi, unë e krijova!’,

10ja, prandaj unë po vij kundër teje e kundër lumenjve të tu, tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë, të shpartalluar nga shpata qysh prej Magdolit e deri në Sienë, deri në kufijtë e Kusit.

11S’do ta përshkojë më këmbë njeriu, këmbë bagëtie më s’do të shklasë në të, e pabanuar do të mbesë për dyzet vjet.

12Tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë mes tokave të shkretuara, qytetet e tij do të jenë mes qyteteve të rrënuara të shkretuara për dyzet vjet e egjiptianët do t’i tres ndër paganë e do t’i shpërndaj nëpër vende të ndryshme.

13Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të kalojnë dyzet vjet do t’i bashkoj egjiptianët nga popujt, ndër të cilët qenë shpërndarë,

14e do ta ndryshoj fatin e Egjiptit dhe do t’i ngul në tokën Fatures, në vendlindjen e tyre, ku do të trajtojnë një mbretëri të vogël.

15Ndër mbretëritë e tjera do të jetë më e vogla, më s’do të ngritet mbi popujt e tjerë e do ta zvogëloj që të mos i pushtojë më popujt.

16As shtëpia e Izraelit më nuk do të ketë shpresë në të, do ta kujtojë fajin e vet që i ndoqi ata, e do ta kuptojnë se unë jam Zoti Hyj.«

17Ndodhi që, në vitin njëzet e shtatë, të parën ditë të muajit të parë, të më jetë drejtuar kjo fjalë e Zotit:

18»Biri i njeriut, Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e ka çuar në këmbë ushtrinë e vet dhe ka ndërmarrë një sulm të rreptë kundër Tirit: çdo kokë u rrua e çdo krah u thye e ai s’pati kurrfarë dobie as ai as ushtria që u çua kundër Tirit, pse e sulmoi Tirin.

19Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, pra, unë po ia lëshoj në dorë Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, tokën e Egjiptit, ai do t’ia marrë pasurinë, do ta rrëmbejë e do ta bëjë pre me gjithçka ka. Kjo do të jetë shpërblimi i ushtrisë së tij.

20Për mund që hoqi kundër Tirit, tokën e Egjiptit do t’ia jap si shpagim. Do t’ia jap tokën e Egjiptit pse punuan në shërbimin tim, thotë Zoti Hyj.

21Atë ditë do të bëj të forcohet krahu i shtëpisë së Izraelit, kurse ty do ta zhdrivilloj gjuhën mes tyre e do ta dinë se unë jam Zoti.«