Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 30

Dita e Zotit kundër Egjiptit

26 vargje

Dita e Zotit kundër Egjiptit

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»Biri i njeriut, profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Perëndi: Ulërini: ‘Mjerë ajo ditë!’,

3sepse erdhi dita, po afrohet dita e Zotit, ditë e zezë, koha e paganëve!

4Shpata do ta korrë Egjiptin, tmerri do ta pushtojë Kusin, kur rrah të bien të plagosurit e Egjiptit, kur të merret pasuria e tij, të jenë rrënuar themelet e tija.

5Shpata përdhe do t’i hedhë Kus e Fut e Lud e të huaj të tjerë, me Kub e bij të tokës së besëlidhjes!

6Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Do të bjerë kush përkrah Egjiptin, do të përulet krenaria e fuqisë së tij: nga Magdoli deri në Sienë prej shpatës rrah do të bien - është fjala e Zotit Hyj!

7Do të bëhet shkretëtirë mes tokash të shkretuara, qytetet e tija mes qyteteve të shkretuara.

8Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur Egjiptit t’i shtij zjarrin e të zhbihen të gjithë ndihmëtarët e tij.

9Atë ditë do të dalin lajmëtarët e mi me anije për ta thyer shpresën e Kusit. Tmerri do ta pushtojë në ditën e zezë të Egjiptit që do të vijë.

10Kështu thotë Zoti Hyj: Do ta zhbij krenarinë madhështore të Egjiptit me dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit!

11Ai dhe populli i tij me të - më i pashpirti ndër të gjithë popujt - do të sillet për ta shkretuar vendin. Ata do t’i zhveshin shpatat e veta kundër Egjiptit e do ta mbulojnë vendin me të vrarë.

12Unë do t’i shter lumenjtë e vendin do ta lëshoj në duar të njerëzve më të këqij e do ta shpartalloj vendin dhe pasurinë e tij me dorën e të huajve. E kam thënë unë Zoti!

13Kështu thotë Zoti Hyj: Unë do t’i zhbij tempujt, do t’i zhduk idhujt e Memfisit, prijës më s’do të ketë në Egjipt, do ta mb’lojë Egjiptin tmerri!

14Do ta shkatërroj tokën Fatures, do t’i shtij zjarrin Taniut, në No gjyqet do t’i bëj!

15Atëherë do ta zbraz zemërimin tim mbi Sinin, fuqinë e Egjiptit, do t’ia shuaj popullin Nos.

16Do t’ia fus zjarrin Egjiptit: si lindësja do të ketë dhimbje Sini, Noja do të pushtohet, kurse Memfisit do t’i vijë çmoskurrja!

17Të rinjtë e Heliopolit e të Bubastiut do t’i presë shpata e këto qytete do të bien në skllavëri!

18Mbi Tafnisin do të errësohet dita kur t’i thyej skeptrat e Egjiptit, kur të ketë rënë krenaria e pushtetit të tij. Reja atë do ta mbulojë, bijat e saj do të bien në skllavëri.

19Atëherë gjyqet do t’i bëj në Egjipt e do ta dinë se unë jam Zoti.«

20Më shtatë të të parit muaj të njëmbëdhjetit vit më qe drejtuar fjala e Zotit:

21»Biri i njeriut, ia theva krahun faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe, ja, nuk qe mjekuar me barna as lidhur me fasha që t’i kthehej shëndeti e të mund ta përdorojë shpatën pasi t’i kthehet fuqia.

22Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e do t’ia thyej edhe krahun e shëndoshë e të thyerin e do t’ia rrëzoj shpatën prej dorës së tij.

23Do t’i shpërndaj egjiptianët ndër paganë e do t’i tres në vende të ndryshme.

24Do t’i jap fuqi mbretit të Babilonit dhe në dorën e tij do t’ia jap shpatën time, kurse do t’ia thyej faraonit krahët dhe do të gjëmojë para tij me gjëmë që i lëshon i plagosuri i shporuar tejpërtej.

25Unë do t’i forcoj krahët e mbretit të Babilonit, kurse krahët e faraonit s’do të kenë fuqi. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur unë t’ia kem dhënë shpatën time mbretit të Babilonit në dorë e ai ta vringëllojë kundër Egjiptit.

26Do ta tres Egjiptin ndër paganë, do t’i shpërndaj ndër vende të ndryshme: do ta dinë se unë jam Zoti.«