Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 32

Krokodili, Zbritja e faraonit në Nëntokë

32 vargje

Krokodili

1Të dymbëdhjetin vit, të dymbëdhjetin muaj, të parën ditë të muajit më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha:

2»Biri i njeriut, nisja vajtimit mbi faraonin, mbretin e Egjiptit e thuaj: Sharrove, luani i popujve! Ishe si krokodili në ujë, turfëlloje nëpër lumenj të tu! Me këmbë të tua turbulloje rrjedhën, i turbulloje përrenjtë e tij!

3Kështu thotë Zoti Hyj: Do ta qes mbi ty unë rrjetën, bashkë me mbledhjen e shumë popujve, jashtë do të të nxjerrin me rrjetën time.

4Do të të hedh përjashta në tokë do të të lë mu në terik. Do të lëshoj mbi ty të gjithë shpendët e qiellit, egërsirat me ty do t’i ngij.

5Mishin tënd do ta shpërndaj në male, me stërvinën tënde lugjet do t’i mbush.

6Do të ujis tokën me qelbësirë të gjakut tënd të derdhur ndër male, humnerat me ty do të mbushen!

7Kur të jesh sosur do të mbuloj qiellin, do t’i errësoj yjet e tij: me re diellin do ta zë edhe hëna dritë s’do të bëjë,

8prej mjerimit tënd dritë s’do të bëjnë yjet, tokën tënde me terr do ta mb’loj, thotë Zoti Perëndi.

9Do ta përmalloj zemrën e popujve të shumtë kur ta përhap lajmin e rrënimit tënd ndër popuj në vende që ti s’i njeh.

10Do të bëj të mbesin të habitur mbi ty popuj të shumtë, mbretërit e tyre do t’i kapë frikë e madhe për shkak tëndin, kur ta kem nxjerrë shpatën time ndër sy të tyre. I tmerruar shtang do të mbesë secili për jetën e vet ditën e rrënimit tënd.

11Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Mbi ty do të bjerë shpata e mbretit të Babilonit.

12Popullin tënd do ta vras me shpatën e trimave, të popujve më të egjër: ata do ta shkërrajnë krenarinë e Egjiptit, do të zhbihet gjithë pasuria e tij.

13Do të mbarojë gjithë bagëtia e tij ndër vërrijet e ujërave të mëdha; s’do t’i trazojë më këmbë njeriu, s’do t’i shklasë më thundër gjedhi.

14Atëherë të kthjellta do t’i bëj ujërat e tyre, lumenjtë e tyre porsi vaj do të rrjedhin - është fjala e Zotit.

15Kur Egjiptin ta kem bërë shkretëtirë, të zhveshur nga gjithçka ka, kur t’i godas të gjithë banorët e tij, do ta dinë se unë jam Zoti.

16Ky është vajtim e do ta vajtojnë. Bijat e popujve do ta vajtojnë; do ta vajtojnë mbi Egjiptin e mbi popullin e tij - thotë Zoti Hyj.«

Zbritja e faraonit në Nëntokë

17Më pesëmbëdhjetë të muajit të parë të dymbëdhjetit vit më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

18»Biri i njeriut, filloja këngës së vajtimit mbi banorët e Egjiptit! Shtyji ata e bijat e popujve të fortë në krahinën e Nëntokës bashkë me ata që zbresin në gropë.

19Më i bukur se kush je ti? Zbrit e fli me të parrethprerë!

20Do të bien me ata që i shkurtoi shpata. Shpata u dha: le të plandoset me të gjithë popujt e vet!

21Trimat e trimave në mes të ferrit do të flasin me të e me ndihmësit e tij që u plandosën: ‘Heshtojnë të parrethprerët që shpata i korri.’

22Aty Asiria e mbarë populli i saj, përreth tij varret e saja, të gjithë të prerë që i korri shpata.

23Varret e tyre janë në fundin e ferrit, turma e tyre është rreth varrit të tij: të gjithë të vrarë, nga shpata të prerë që, dikur, mbarë botës së të gjallëve i shtinë tmerrin!

24Aty Elami e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij. Të gjithë këta prej shpatës të prerë, zbritën në krahinën e të vdekurve të parrethprerë, që dikur ia shtinë tmerrin botës së të gjallëve, por e morën çnderimin e vet bashkë me ata që zbresin në ferr.

25Mes të vrarëve ia vunë shtrojën, atij edhe popullit të tij përreth varrit të tij - të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur: ishin dikur tmerr në tokën e të gjallëve, tashti e bajnë çnderimin e vet me ata që zbresin në dhe të zi - janë vendosur ndër të vrarë.

26Aty është Mosoku, Tubali e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij - të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur, që dikur ishin tmerri i tokës së të gjallëve.

27Nuk pushojnë me trima që dikur ranë dhe me armë zbritën në krahinën e të vdekurve e i vunë armët nën koka të veta dhe i kishin shqytat mbi eshtra të vet, sepse ishin tmerr për trima në tokën e të gjallëve.

28Edhe ti do të shkrihesh e do të flesh në mes të parrethprerëve prej shpatës së të prerëve.

29Aty është Idumeja, mbretërit e saj e princat e saj: edhe pse trima, ata shtrihen në mes të prerëve prej shpatës dhe flejnë me të parrethprerë, me ata që zbritën në gropë.

30Aty janë princat e Veriut e të gjithë sidonët. Edhe ata zbritën me të prerë, megjithëse ishin tmerr për kah trimëria. Edhe ata flejnë të parrethprerë bashkë me ata që i korri shpata dhe mbajnë çnderimin e vet me ata që zbritën në dhe të zi.

31Do t’i shohë faraoni e do të gëzohet për gjithë këtë shumicë të madhe. Janë të prerë me shpatë të faraonit e të mbarë ushtrisë së tij - është fjala e Zotit,

32sepse e shtiva tmerrin tim në tokën e të gjallëve. Është i plandosur në mes të parrethprerëve me të vrarët e shpatës së faraonit ai dhe mbarë populli i tij - është fjala e Zotit.