Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 40

IV. »TORA« - LIGJI I EZEKIELIT, Tempulli i ardhshëm, etj.

47 vargje

IV. »TORA« - LIGJI I EZEKIELIT

Tempulli i ardhshëm

1Në fillim të vitit njëzetepestë të shpërnguljes sonë, të dhjetën ditë të muajit, të katërmbëdhjetin vit pasi qe pushtuar Qyteti, po atë ditë, ra mbi mua dora e Zotit. Ai më çoi atje.

2Në vegime hyjnore më çoi në tokën e Izraelit dhe më uli në majë të një mali shumë të lartë, mbi të cilin ishte, ndërtuar pothuajse një qytet i tërë në krahun e mesditës.

3Ai më futi brenda. Dhe ja, një njeri i ndritshëm porsi tuçi, me litar të linjtë në dorë, me kallam mase në dorë, qëndronte në derë.

4Ky njeri foli me mua e më tha: »Biri i njeriut, vezhgo e dëgjo me kujdes dhe vërjau mendjen të gjithave që do t’i dëftoj, sepse je sjellë këtu që të të dëftohen këto. Kumtoja shtëpisë së Izraelit gjithçka të shohësh këtu.«

Muri i jashtëm

5Dhe, ja, godina ishte e rrethuar gjithkund përjashta me mur. Kallami i masës që njeriu e kishte në dorë ishte gjashtë kutesh, çdo kut ishte një pëllëmbë më i gjatë. Ai e mati godinën: gjerësia një kallam e lartësia një kallam.

Dera e lindjes

6Erdhi te dera që shikon në drejtim të lindjes, u ngjit shkallëve dhe e mati pragun e derës: gjerësia një kallam.

7Dhoma një kallam gjatë e një kallam e gjerë. Ndërmjet dhomave pesë kute: edhe pragu i tremes përgjatë paraderës: një kallam.

8E mati edhe tremen e derës:

9tetë kute, shtyllakët: dy kutesh. Tremja e derës ishte brenda.

10Dhomat e derës së lindjes ishin tri në njërën anë e tri në anën tjetër. Kishin të njëjtën masë. Po ashtu edhe shtyllakët: në të dy anët ishin po me atë masë.

11E mati edhe gjerësinë e hyrjes në treme: ishte dhjetë kutesh; gjatësia e derës trembëdhjetë kutesh.

12Para dhomave, në njërën anë e në tjetrën, ishin parmakët prej afro një kuti. Secila dhomë: gjashtë kute në njërën anë e gjashtë kute në anën tjetër.

13Pastaj e mati derën prej pullazit të njërës dhomë deri në pullazin e asaj përballë: gjerësia njëzet e pesë kute prej njërës hyrje në tjetrën, /14/(15) prej ballit të hyrjes së derës deri te balli i hyrjes së tremes përbrenda, pesëdhjetë kute.

16Dhomat dhe në mbidyert e tyre kishin dritaret me kangjela rreth e rreth përbrenda. Po ashtu ishin dritaret edhe në treme rreth e rreth përbrenda, kurse në shtyllakët palma të pikturuara.

Oborri i jashtëm

17Më çoi edhe në oborrin e jashtëm. Dhe, ja, dhoma e trualli i shtruar me rrasa rreth e rreth oborrit: tridhjetë dhoma gjatë truallit të shtruar me rrasa.

18Kalldrëmi ishte në të dy anët e dyerve me përmasa të derës. Ky ishte kalldrëmi i poshtëm.

19Ai e mati gjerësinë e oborrit prej faqes së derës së poshtme deri në ballin e derës së brendshme përjashta: njëqind kute. Kështu në lindje e kështu në veri.

Dera e veriut e tremes

20E mati gjerësinë e gjatësinë edhe të derës së veriut të oborrit të jashtëm.

21Edhe ajo kishte nga tri dhoma këndej e andej. Praqet dhe paradera e saj me përmasat e derës së mëparshme. Gjatësia e saj pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.

22Edhe dritaret e tremes si dhe skulpturat e palmave, sipas masës së derës në drejtim të lindjes. Në hyrje kishte shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda.

23Paradera e brendshme kishte derën kundruall derës së veriut porsi në derën e lindjes. E mati nga dera në derë njëqind kute.

Dera e jugut

24Më çoi edhe drejt jugut dhe, ja, dera që shikonte drejt mesditës. I mati pragjet e paraderën: ishin sipas masave të lartëpërmendura.

25Dritaret e saja dhe tremet përreth porsi dritaret e tjera. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.

26Tek ajo ngjiteshe nëpër shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda. Në shtylla kishte palma të pikturuara një këndej e një andej.

27Tremja e kishte derën në drejtim të mesditës. E mati nga dera në derë: njëqind kute në drejtim të mesditës.

Tremja e brendshme. Dera e jugut

28Atëherë më futi në oborrin e brendshëm nëpër derë të mesditës.

29Dhomat e tija, pragjet dhe paradera: ishin me të njëjtën masë. Kishte edhe dritare, kishte edhe paradyer gjithkund përreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. /30/(31) Paradera shikonte drejt oborrit të jashtëm. Kishte palmat në shtyllakë. Tek ai u ngjiste nëpër tetë këmbë shkallësh.

Dera lindore

32Atëherë më çoi në derë të lindjes të oborrit të brendshëm. E mati derën dhe ajo e kishte masën e mëparshme.

33Dhomat e shtyllakët e paradera ishin po me të njëjtat masa si më lart. Kishte dritare dhe tremen rreth e rreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.

34Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Shtyllakët kishin të gdhendura palma këndej e andej. Hyhej në të nëpër tetë këmbë shkallësh.

Dera veriore

35Më shtiu brenda edhe nëpër derën që është kundruall veriut. E mati. Ishte po me ato masa të mëparshme:

36dhomat, shtyllakët dhe tremja e saj. I kishte përreth edhe dritaret. Gjatësia pesëdhjetë kutë e gjerësia njëzet e pesë kutë.

37Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Këndej e andej shtyllakët i kishin palmat e gdhendura. Në të ngjitej nëpër tetë këmbë shkallësh.

Kthinat shtojca

38Ishte një kthinë me hyrje në derë të tremes. Aty lahej flia e shkrumbimit.

39Në tremen e derës, në njërën e në tjetrën anë, ishin nga dy tryeza për të therur në to flinë e shkrumbimit, flinë për mëkat e flinë për pendesë.

40Mbanesh, jashtë tremes, te dera e tremes, në drejtim të derës së veriut, edhe dy tavolina. Po ashtu edhe në krahun tjetër të derës së tremes dy tavolina.

41Kështu: katër tavolina në njërën anë e katër të tjera në anën tjetër të derës: ishin tetë tavolina mbi të cilat priteshin flitë.

42Ishin mandej edhe katër tavolina për fli shkrumbimi, të punuara prej guri të latuar, të gjata një kut e gjysmë, të gjera një kut e gjysmë e të larta një kut.

43Buza rreth e rreth e dhëmbëzuar një pëllëmbë prej jashtë brenda.

42Mbi to viheshin veglat me të cilat priteshin flitë e shkrumbimit dhe flitë e tjera,

43kurse mbi tavolina mishi i kushtimit.

44Jashtë derës së brendshme ishin dy kthina, në tremen e brendshme: njëra ishte në anën e derës së veriut, e kthyer kah jugu, tjetra në anën e derës së jugut e kthyer kah veriu.

45Ai më tha: »Dhoma që është e kthyer me pamje kah jugu, duhet të jetë për priftërinj që shërbejnë në rojën e Tempullit.

46Dhoma që është me pamje kah veriu, duhet të jetë për priftërinjë që kryejnë shërbesën e lterit: këta janë bijtë e Sadokut, ata nga bijtë e Levit, të cilët kanë leje t’i afrohen Zotit për t’i shërbyer.«

Paradera e brendshme

47E mati edhe paraderën. Ishte e gjatë njëqind kute, e gjerë njëqind kute: katrore. Në ballë të Tempullit ishte lteri.

Tempulli: Ulami - hyrja kryesore

48Atëherë më shtiu në treme të Tempullit. I mati shtyllakët e tremes: pesë kute këndej e pesë kute andej. Gjerësia e hyrjes ishte katërmbëdhjetë kute. Krahët e derës tre kutësh këndej e tre kutesh andej.

49Gjatësia e paraderës ishte njëzet kutesh, kurse gjerësia dymbëdhjetë kutesh. Për dhjetë këmbë shkallësh u ngjiste tek ajo. Në pragje ishin dy shtylla: njëra në njërën anë e tjetra në tjetrën anë.