Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 43

Kthimi i Zotit, Lteri, etj.

27 vargje

Kthimi i Zotit

1Atëherë më çoi te dera që shikonte në drejtim të lindjes.

2Dhe, ja, Lavdia e Zotit të Izraelit po vinte nga Lindja. Ushtima e saj porsi ushtima e ujërave të mëdha: toka shkëlqente nga madhëria e tij!

3Unë atëherë pata një vegim të ngjashëm me vegimin që pata kur erdhi për ta shkatërruar qytetin, vegimi ishte sipas dukjes së vegimit që e pata në brigjet e lumit Kobar. Atëherë rashë me fytyrë përdhe.

4Lavdia e Zotit hyri në Tempull nëpër derën që shikonte në lindje.

5Atëherë shpirti më ngriti e më futi brenda në oborrin e brendshëm. Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit.

6Atëherë dëgjova një zë, dikush më fliste prej Tempullit, e një njeri qëndronte në këmbë pranë meje.

7Më tha: »Biri i njeriut, ky është vendi i fronit tim, vendi i gjurmëve të këmbëve të mia. Këtu do të banoj në mes të bijve të Izraelit për amshim. Shtëpia e Izraelit më nuk do ta përdhosë Emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre me fëlligështitë e tyre e me kufoma të mbretërve të vet në vdekjet e tyre.

8Ata ndërtuan pragun e vet përbri pragut tim, gurngulurit e vet përbri gurngulurit tim: kishte vetëm një mjet mes meje e tyre dhe e përdhosën Emrin tim të shenjtë me turpësitë që i bënë. Kjo edhe qe arsyeja që i zhbiva në felgrimin tim.

9Por tash e tutje ata do t’i hedhin larg meje lavirësitë e tyre edhe trupat e mbretërve të vet e unë do të banoj në mesin e tyre përgjithmonë.

10Ti, pra, o biri i njeriut, dëftoja shtëpisë së Izraelit Tempullin që të turpërohet për fajësitë e veta e le t’ia vënë masën.

11Nëse do t’u vijë marre për gjithçka kanë bërë, përshkruaje Tempullin dhe përkatësitë e tija, hyrjet e daljet e tija, plotësisht dukën e tij, të gjitha rregulloret e ligjet e tija përshkruaju. Vizatoje ndër sy të tyre pikë për pikë që t’ia ruajnë krejtësisht dukën e tij e të gjitha rregulloret t’i vënë në zbatim.

12Ky është ligji për Tempull: në majën e malit, mbarë vendi që e rrethon është tejet i shenjtë; ja, ky është ligji i Tempullit.«

Lteri

13Këto janë masat e lterit në kute - e kuti këtu është një kut e një pëllëmbë. Baza e tij ishte një kut lart e një kut gjerë. Buza në anë të tij e prerë përreth një pëllëmbë. Kurse lartësia e lterit ishte:

14nga baza që ishte në truall deri në bazën e poshtme të lterit: dy kute lartësi, kurse gjerësia vetëm një kut, ndërsa prej bazës së vogël deri në të madhën: katër kute i lartë, kurse i gjerë vetëm një kut.

15Vetë vatra ishte katër kutesh dhe nga vatra ngallitin lart katër brirë.

16Vatra ishte e gjatë dymbëdhjetë kute, dymbëdhjetë kute gjerë: katror me krahë të njënjëshëm.

17Sipërfaqja: katërmbëdhjetë kute e gjatë e katërmbëdhjetë kute e gjerë në katër këndet e saja. Buza gjithkund përreth saj e prerë gjysmë kuti e baza e saj rreth e rreth një kut. Shkallët i këqyrin në lindje.

Shugurimi i lterit

18Atëherë më tha: »Biri i njeriut, kështu thotë Zoti Hyj: Ky është ligji i lterit kur do të ndërtohet për t’u kushtuar mbi të flia e shkrumbimit e për t’u derdhur gjaku.

19Priftërinjve levitë, që rrjedhin prej Sadokut e që kanë të drejtë të shërbejnë - është fjala e Zotit - jepu një mëzat për flinë pendestare.

20Merr prej gjakut të tij e me të lyej katër brirët, katër këndet e sipërfaqes, buzën gjithkund përreth, kështu do ta pastrosh e do ta pajtosh.

21Pastaj merre mëzatin që do të jetë kushtuar për mëkat, dhe digje në vend të caktuar në Tempull përjashta Shenjtërores.

22Ditën e dytë kushtoje një cjap të pamungesë për mëkat. Le ta shpërblejnë lterin ashtu sikurse e bënë me mëzat.

23Kur ta kesh shpërblyer lterin, kushtoje një mëzat të patmetë dhe një dash nga grigja të patmetë.

24Kushtoji ata në praninë e Zotit. Priftërinjtë le të qesin mbi ta kripë e le t’i kushtojnë porsi fli shkrumbimi për nder të Zotit.

25Për shtatë ditë çdo ditë kushtoje si fli për mëkat një cjap, një mëzat nga gjedhi e një dash nga grigja, të gjithë pa farë të mete.

26Gjatë shtatë ditëve le ta shpërblejnë lterin. Kështu do ta bëjnë të pastër, e do ta shugurojnë.

27Si të jenë kryer këto ditë, të tetën ditë e më tutje, priftërinjtë le t’i kushtojnë në lter flitë tuaja të shkrumbimit e të pajtimit e unë do të kem përdëllim për ju - thotë Zoti.«