Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 44

Përdorimi i derës lindore, Rregullore për të pranuar në Tempull, etj.

31 vargje

Përdorimi i derës lindore

1Atëherë më ktheu prapazi te dera e jashtme e Shenjtërores, tek ajo që shikon në lindje: ishte e mbyllur.

2Atëherë Zoti më tha: »Kjo derë duhet të mbetet mbyllur. Nuk do të hapet e njeri s’do të kalojë nëpër të, sepse nëpër të hyri Zoti Hyji i Izraelit: duhet të mbesë mbyllur.

3Vetëm princi, sepse është princ, mund të rrijë në të e të hajë bukë në praninë e Zotit, por duhet të hyjë nëpër derën e tremes e nëpër të edhe duhet të dalë jashtë.«

Rregullore për të pranuar në Tempull

4Atëherë më priu drejt derës së veriut, para Tempullit. Shikova, dhe ja, Lavdia e Zotit e mbushi Tempullin e Zotit. Unë rashë me fytyrë përdhe.

5Atëherë Zoti më tha. »Biri i njeriut, vërja mirë mendjen, shiko me sytë e tu e dëgjo me veshët e tu gjithçka të them lidhur me të gjitha sjelljet e Shtëpisë së Zotit e me ligjet e saja. Mirë vërja mendjen kush guxon të hyjë në Tempull e kush s’bën të hyjë në Tempull

6thuaj shtëpisë së Izraelit kryengritëse ndaj meje: Kështu thotë Zoti Hyj: Tepër shumë janë turpësitë e tua, o shtëpia e Izraelit,

7e ju po i shtini të huajt, të parrethprerë në zemër e në mish dhe hynë në Shenjtëroren time dhe e përdhosën Shtëpinë time ndërsa ju kushtonit bukën time, dhjamin e gjakun. Kështu e thyet Besëlidhjen time me të gjitha turpësitë tuaja.

8Vetë nuk i ruajtët gjërat e mia të shenjta dhe i vutë ata të kryejnë shërbesën time në Shenjtëroren time. Prandaj

9kështu thotë Zoti Hyj: Asnjë i huaj i parrethprerë në zemër e në trup s’guxon të hyjë në Shenjtëroren time: asnjë i huaj që jeton në mes të bijve të Izraelit.«

Detyra e levitëve

10Levitët që u larguan prej meje, kur bijtë e Izraelit me gabimin e vet u larguan prej meje pas idhujve të vet, do të japin përgjegjësi për fajësinë e vet.

11Do të shërbejnë në Shenjtëroren time si rojtarë e dertarë të Shtëpisë e si shërbëtorë të Tempullit: këta do t’i therin flitë e shkrumbimit e flitë për popull, do të qëndrojnë përpara popullit e do të jenë në shërbimin e tij.

12Këta i patën shërbyer popullit para idhujve të tyre dhe kështu u bënë për shtëpinë e Izraelit fyerje paudhërie, prandaj edhe e lartësova dorën time mbi ta - thotë Zoti Hyj - mbi krye të tyre fajësia e tyre!

13Më s’do të afrohen para meje për të më shërbyer me shërbesën priftërore, as s’do të mund t’u afrohen gjërave të mia të shenjta, atyre më të shenjta, por do t’i mbartin turpësitë e veta e neveritë që i bënë.

14Unë do t’i bëj të kryejnë gjithçka duhet të punohet në Tempull, të bëjnë gjithçka duhet të bëhet në të.

Rregullore për priftërinjtë

15Priftërinjtë levitë, pasardhës të Sadokut, që i mbajtën rregulloret e Shenjtërores sime, kur izraelitët u endën larg meje, ata le të më afrohen për të më shërbyer, le të qëndrojnë në praninë time për të më kushtuar dhjamin e gjakun - thotë Zoti Hyj.

16Këta do të hyjnë në Shenjtëroren time, ata do të afrohen në tryezën time për të më shërbyer e për ta ruajtur shërbesën time.

17Kur të hyjnë nëpër dyer të tremes së brendshme, le të vishen me petka të linjta dhe të mos vënë përmbi to asnjë petk të leshtë, kur shërbesojnë brenda dyerve të tremes së brendshme e në Shenjtërore.

18Në kokë duhet të mbajnë shallma të linjtë e duhet t’i mbathin rreth ijës tëlinjtat e linjta: të mos ngjeshen me asgjë që të mund t’i bëjë të djersiten.

19Kur të dalin në tremen e jashtme te populli, le t’i heqin petkat e veta me të cilat shërbyen, le t’i lënë ato në kthinat e shenjta, le të vishen me petka të tjera që të mos e shenjtërojnë popullin me petkat e veta.

20Kryet e vet nuk guxojnë ta rruajnë, por as të mos i lëshojnë flokët tepër të gjatë, por le të qethen kohë pas kohe.

21Asnjë prift të mos pijë verë kur do të hyjë në tremen e brendshme.

22S’guxon të martohet me grua të vejë e të lëshuar, por vetëm me vajza prej bijave të Izraelit. Mund të martohen edhe me ndonjë të vejë që ka mbetur e vejë pas vdekjes së priftit.

23Kanë detyrë ta mësojnë popullin tim ç’dallim ka ndërmjet gjësë së shenjtë e jo të shenjtë, e t’i dëftojnë çka është e pastër e çka e papastër.

24Në mosmarrëveshje le të jenë gjykatës: duhet të gjykojnë sipas gjyqeve të mia. Duhet t’i zbatojnë të gjitha ligjet e mia e rregulloret e mia lidhur me të kremtet e mia e do t’i shenjtërojnë të shtunat e mia.

25Nuk do të hyjnë te ndonjë i vdekur që të mos bëhen të papastër. U lejohet të bëhen të papastër në rastin e vdekjes së babës, të nënës, të ndonjë biri ose bije, të vëllait e edhe të motrës që nuk ka qenë martuar.

26Pasi i tilli të jetë pastruar, le t’i njehen shtatë ditë

27e atëherë, kur të hyjë në Shenjtërore, në tremen e brendshme, për të më shërbesuar mua në Shenjtërore, le ta kushtojë flinë për mëkat, thotë Zoti Hyj.

28Ata nuk do të kenë trashëgim: unë do të jem trashëgimi i tyre. Nuk do t’u jepni pronë në Izrael: sepse unë jam prona e tyre.

29Atyre u takojnë për ushqim flitë e pendesës e flitë e pajtimit, atyre u përket edhe çkado të jetë caktuar për zhbirje.

30Priftërinjve u takon më e mira pjesë e fryteve të para e të parëlindurve, çdo lloj kushtimi tuaj; po edhe miellin më të mirin do t’ua jepni priftërinjve që t’i bekojnë shtëpitë tuaja.

31Priftërinjtë nuk guxojnë të hanë asgjë të ngordhur - kurrnjë bagëti që ta kenë copëtuar egërsirat ose shpendët.