Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 45

Ndarja e tokës. Pjesa e Zotit, Pjesa e princit, etj.

25 vargje

Ndarja e tokës. Pjesa e Zotit

1Kur ta ndani me short vendin, ndajeni njëherë pjesën e shenjtë të Zotit: me gjatësi njëzet e pesë mijë kute e me gjerësi njëzet mijë kute. Kjo pjesë do të jetë e shuguruar në tërë hapësirën e vet;

2prej kësaj pjese Shenjtërores i takojnë pesëqind kute gjatë e pesëqind kute gjerë; katërore, si dhe pesëdhjetë kute kullota përreth.

3Pasi ta kesh matur këtë, prej saj mate gjatësi njëzet e pesë mijë kute e gjerësi dhjetë mijë: në këtë vend do të jetë Tempulli - Shenjtërorja tejet e shenjtë.

4Kjo pjesë e shenjtë u takon priftërinjve që shërbesojnë në Shenjtërore, të cilët i afrohen Zotit për t’i shërbyer. Ky vend do t’u shërbejë atyre për shtëpi dhe për kullota të bagëtive.

5Njëzet e pesë mijë për së gjati e dhjetë mijë kute për së gjeri le t’u jepet levitëve që shërbejnë në Tempull: kjo është prona e tyre për të ndërtuar qytetet e banimit.

6Si pronë, mandej të qytetit jepni për pjesë pesë mijë kute në gjerësi e njëzet e pesë mijë kute në gjatësi përbri pronës së shuguruar: në të ka pjesë mbarë shtëpia e Izraelit.

Pjesa e princit

7Princit le t’i shenjohet për pronë një pjesë nga të dy krahët e pronës së shenjtëruar dhe të pronës së qytetit, që nga krahu i detit deri në det e që nga ana e lindjes në drejtim të lindjes me gjatësi sa dhe ato pjesë prej kufirit të perëndimit deri në kufirin e lindjes.

8Kjo pjesë do të jetë prona e tij në Izrael dhe princat e mi më nuk do të guxojnë ta ndrydhin popullin tim dhe tokën do t’ia japin shtëpisë së Izraelit sipas fiseve.

9Kështu thotë Zoti Hyj: Mjaft më, princat e Izraelit! Hiqni dorë nga dhuna e rrëmbime! Bëni të drejtën e drejtësinë! Mos bëni kërkesa tatimesh prej popullit tim - thotë Zoti Hyj.

10Kini peshoret e drejta, ef të drejtë, bat të drejtë!

11Efi e bati le të zënë njënjë, të kenë të njëjtën masë: le të zërë të dhjetën pjesë të homerit bati e të dhjetën pjesë të homerit efi: masa e tyre le të jetë sipas homerit.

12Sikli të ketë njëzet gera. Pesë sikla të jenë pesë sikla, dhjetë sikla të jenë dhjetë sikla e mina le të jetë pesëdhjetë sikla.

Kushtet për kult

13Ky është kushti që duhet ta jepni: një të gjashtën e efit për gomor të grurit dhe të gjashtën e efit për gomor të elbit.

14Në lidhje me vaj, ja rregullorja: bati është masa e vajit -: një të dhjetën e batit për çdo kor - dhjetë bat bëjnë një homer, sepse dhjetë bat e mbushin një kor.

15Nga çdo grigjë dyqind delesh - të kullotave të pasura të Izraelit - një dele si fli shkrumbimi, si fli pajtimi për të shpërblyer - thotë Zoti Hyj.

16Mbarë populli i vendit është i detyruar t’ia bëjë këtë kusht princit të Izraelit.

17Princi e ka për detyrë të japë për flitë e shkrumbimit, kushtet e njomjet në ditët e festave, për hënë të re, për të shtuna dhe për të gjitha kremtimet e shtëpisë së Izraelit: ai le të kujdeset për flitë për mëkat si dhe për kushte, fli të shkrumbimit e për flitë e pajtimit për shpërblim të shtëpisë së Izraelit.

E kremtja e pashkëve

18Kështu thotë Zoti Hyj: Të parën ditë të të parit muaj, merre një mëzat pa të metë nga gjedhi e shpërbleje lterin.

19Prifti të marrë prej gjaku të flisë për shpërblim të mëkatit e ta qesë në pragjet e Shtëpisë e në katër këndet e sipërfaqes së lterit dhe në pragjet e derës së tremes së brendshme.

20Bëj kështu edhe të shtatën ditë për çdokënd që ka mëkatuar prej ligështisë e prej padijes. Kështu do ta kryeni pajtimin për Shenjtëroren.

21Të parin muaj, të katërmbëdhjetën ditë të muajit, festojeni të kremten e Pashkëve! Shtatë ditë le të hahet buka e pambruar.

22Atë ditë princi le ta kushtojë për vete e për mbarë popullin e vendit një viç si therore për mëkat.

23Për shtatë ditët e të kremtes le t’i kushtojë si fli shkrumbimi shtatë mëzetër e shtatë desh të panjollë - çdo ditë nga një për shtatë ditë - dhe për mëkat çdo ditë nga një cjap.

24Le ta kushtojë edhe si paraqitje një ef për çdo mëzat e për çdo dash dhe një hin vaji për çdo ef.

Shenjtërimi i të kremtes së tendave

25Të shtatin muaj, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit, le të bëjë ditën e festës, siç u tha edhe më lart, për shtatë ditë, qoftë për mëkat e qoftë për fli të shkrumbimit, qoftë për kushtim e për vaj.