Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 5

Paralajmërim se do të rrethohet Jerusalemi (2)

17 vargje

1Biri i njeriut, merre një shpatë të mprehtë që rruan qimet, merre në vend të briskut rrues dhe rruaje kryet e mjekrrën. Merre mandej peshoren e ndaj qimet e rruara.

2Një të tretë digje në zjarr në midis të qytetit pasi të kenë kaluar ditët e rrethimit; merre edhe të tretën tjetër dhe preje me shpatë rreth e rreth qytetit e një tjetër të tretë, trete në erë e unë do ta zhvesh shpatën pas tyre.

3Merri pak sosh e lidhi në kindin e petkut tënd;

4prapë prej tyre merr edhe pak dhe qiti e digji në zjarr: prej tyre do të dalë zjarri. Atëherë thuaj mbarë shtëpisë së Izraelit:

5Kështu thotë Zoti Hyj: Ky është Jerusalemi! Unë e vendosa midis paganësh dhe të rrethuar nga vendet e huaja.

6Ai i përbuzi gjyqet e mia, saqë u bë më i patenzonë se paganët, i përbuzi urdhërimet e mia më tepër se vendet që i ka përreth: i flakën gjyqet e mia e nuk ecën urdhërimeve të mia.

7Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi jeni më kryekëcyer se paganët që janë përreth jush, pasi nuk ecët urdhërimeve të mia, nuk i zbatuat gjyqet e mia, por s’vepruat madje as sipas gjyqeve të paganëve që janë përreth jush,

8prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pritëm, pra, se më ke në shpinë dhe unë vetë do ta kryejë gjyqin tim mbi ty ndër sy të paganëve,

9e do të bëj në ty çka s’kam bërë kurrë dhe kurrë më s’do ta bëj, për shkak të turpësive të tua!

10Ja pra, në mesin tënd etërit do t’i hanë fëmijët e vet dhe fëmijët do t’i hanë baballarët e vet. Do ta çoj në vend gjyqin tim mbi ty e çka të teprojë prej teje do ta tres në katër anët e botës.

11Prandaj, pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - siç është e vërtet se ti e ke dhunuar Shenjtëroren time me të gjitha fyerjet e tua e me të gjitha turpësitë e tua, ashtu edhe vetë do të rruaj, s’do ta lë të ketë dhimbje syri im e s’do të përdëllej.

12Një e treta jote do të vdesë nga murtaja e do të shqimet nga uria brenda në ty, një e treta pjesë tjetër jotja do të bjerë nga shpata në rrethet e tua, kurse të tretën pjesën tënde do ta tres në çdo anë dhe do ta nxjerr shpatën pas tyre.

13Atëherë do ta shfrej furinë time, do ta qetësoj zemërimin tim kundër tyre e do të gjej ngushëllim. Atëherë do ta dinë se unë Zoti fola në zemërimin tim kur do ta çoj në vend felgrimin tim kundër tyre.

14Shkretëtirë do të të bëj dhe turp në sytë e paganëve që janë rreth teje, në sy të të gjithë kalimtarëve.

15Do të jesh çnderim, mallkim, shembull e tmerr ndër paganë që janë përreth teje, kur t’i çoj në vend gjyqet e mia kundër teje me furi, me zemërim e me ndëshkim të furishëm.

16Po flas unë, Zoti - kurdo t’i kokërroj kundër jush shigjetat e zeza të urisë, që do të jenë vdekjeprurëse, me të cilat do t’ju gjuaj për t’ju shkatërruar dhe do ta sjell mbi ju urinë - do t’jua zhduk edhe kursimin e fundit të bukës.

17Do të çoj kundër jush urinë dhe bishat e egra e do të të lënë pa fëmijë në vatër: murtaja e gjaku do të kalojnë nëpër ty, shpatën do ta sjell kundër teje. Po flas unë, Zoti.«