Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 6

Kundër bjeshkëve të Izraelit, Mëkatet e Izraelit

14 vargje

Kundër bjeshkëve të Izraelit

1Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit. Më tha:

2»Biri i njeriut, sillu me fytyrë drejt bjeshkëve të Izraelit e profetizo kundër tyre.

3Thuaj: Malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj! Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, luginave e vërrive: Ja, unë do ta çoj kundër jush shpatën dhe do t’i rrafshoj lartësitë tuaja;

4do t’i rrënoj lterët tuaj, do të copëtohen shenjtëroret tuaja e të vrarët tuaj do t’i përplas para idhujve tuaj.

5Do t’i plandos trupat e bijve të Izraelit para tempujve tuaj dhe eshtrat tuaj do t’i shkapërderdh para lterëve tuaj.

6Në të gjitha vendbanimet tuaja qytetet tuaja do të shkretohen, lartësitë do të shkatërrohen që të rrënohen e të zhduken lterët tuaj, që të thërmohen e të zhbihen idhujt tuaj, të rrafshohen tempujt tuaj e të shpartallohen veprat tuaja.

7Të vrarët do të bien në mesin tuaj e do ta dini se unë jam Zoti.

8Prapëseprapë do t’i kursej disa prej jush, që do të shpëtojnë prej shpatës, të cilët unë do t’i tres ndër paganë.

9Atëherë, të mbeturve gjallë prej jush, do t’u bjerë ndër mend për mua ndër paganë, ku do t’i çoj në skllavëri, sepse do t’ua copëtoj zemrën e tyre të pabesë që u largua prej meje dhe sytë e tyre që bënë lavirësi me idhujt e tyre. Vetvetja do t’u neveritet për shkak të fajësive që bënë në të gjitha turpësitë e veta.

10Atëherë do ta dinë se unë Zoti nuk fola kot se do t’ua çoj këto të këqia.

Mëkatet e Izraelit

11Kështu thotë Zoti Hyj: Rrahi shuplakat, bjeri tokës me këmbë e thuaj: Vaj! Për shkak të të gjitha turpësive të zeza shtëpia e Izraelit po shfaroset nga shpata, uria e murtaja!

12Kush është larg, do të vdesë nga murtaja, kush është afër, do të bjerë nga shpata e kush i rrethuar të mbesë gjallë, do të vdesë nga uria, sepse do ta çoj në vend furinë time kundër tyre.

13Do ta dini se unë jam Zoti, kur trupat e tyre do të mbesin rrah ndër idhujt e tyre, përreth lterëve të tyre, në çdo kodër të lartësuar, në mojat e maleve e nën çdo lëndë të gjelbër, nën çdo qarr shatorr - vend ku u kushtuan kem të erëndshëm të gjithë idhujve të vet!

14Do ta shtrij dorën time mbi ta e do ta bëj vendin të shkretë e të përmbysur që nga shkretëtira e deri në Reblë, kudo të banojnë! Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.«