Të gjithë kapitujt

Filipianëve · Kapitulli 2

Përvujtëria e krishterë dhe përvujtëria e Krishtit, Shndritni si pishtarë në botë, etj.

30 vargje

Përvujtëria e krishterë dhe përvujtëria e Krishtit

1Nëse, pra, vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme,

2atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi!

3Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbani njëri-tjetrin më të madh se veten.

4Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.

5Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus:

6i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

7por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.

8E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.

9Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër

10që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

11dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

Shndritni si pishtarë në botë

12Kështu, pra, të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj.

13Sepse Hyji është ai që, simbas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni.

14Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë,

15që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë,

16duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot.

17Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju.

18Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!

Timoteu dhe Epafroditi

19Shpresoj, pra, në Zotin Jezus, se së shpejti do ta dërgoj te ju Timoteun, që të kënaqem edhe unë kur të marr vesh për gjendjen tuaj.

20Dhe njëmend, s’kam askënd tjetër që të na përkojnë shpirtrat që pa u kursye të kujdeset për ju,

21sepse të gjithë tjerët kërkojnë interesin e vet e jo atë të Jezu Krishtit.

22Dhe ju e dini se ky e ka vërtetuar ndershmërinë e vet në çdo pikëpamje, mbasi si fëmija me t’anë ka shërbyer bashkë me mua në përhapje të Ungjillit.

23Këtë, pra, shpresoj se do ta dërgoj posa të shoh se si do të marrë puna ime.

24Por jam i bindur në Zotin se së shpejti do të vij edhe vetë te ju.

25Ndërkaq e çmova të nevojshme ta dërgoj te ju Epafroditin vëllanë, bashkëpunëtorin dhe bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar të më ndihmojë në nevojë të mia.

26Po e dërgoj sepse kishte dëshirë të madhe të shihej me ju të gjithë dhe vuante se ju kishit marrë vesh se është i sëmurë.

27Edhe, vërtet, qe i sëmurë për vdekje, porse Hyji pati dhimbje për të dhe, jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim.

28Prandaj e nisa shpejt e shpejt që, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe edhe unë të kem më pak trishtim.

29Bëni, pra, në Zotin një pritje vërtet të gëzueshme dhe çmoni fort njerëzit e tillë,

30sepse, për veprën e Krishtit për pak sa s’vdiq; jetën e vet e vuri në rrezik për të plotësuar atë që ju s’mund të bënit për shërbimin tim.