Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 1

Titulli i përgjithshëm, I. PARATHËNIA POROSITË PËR URTINË, etj.

33 vargje

Titulli i përgjithshëm

1Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:

2për ta njohur urtinë e disiplinën, për t’i kuptuar fjalët e mençurisë,

3për ta pranuar dijen e mësimit, të drejtësisë, të gjykimit e të së drejtës,

4që t’u jepet të papërvojëve shquartësia, të riut kuptimi dhe përsiatja.

5Le të dëgjojë i urti dhe do ta shtojë dijen dhe i kuptueshmi do të fitojë aftësinë e këshillës,

6do t’i marrë vesh fjalët e urta e alegoritë, fjalët e të urtëve e gjëegjëzat e tyre.

7Frika e Zotit është fillimi i urtisë, por të marrët e përbuzin urtinë dhe mësimin.

I. PARATHËNIA POROSITË PËR URTINË

I urti: ikën nga shoqëria e djelmoshave të këqij

8Dëgjoje, biri im, mësimin e tyt et dhe mos e përbuz shtjellimin e Ligjit të nënës sate,

9sepse do të jenë kezë për kokën tënde, gjerdan për qafën tënde.

10Biri im, nëse të joshin mëkatarët, assesi mos prano!

11Nëse të thonë: »Eja me ne, të dalim në pritë për të derdhur gjak, ta presim në pritë të pafajshmin më kot;

12për t’i gëlltitur gjallë porsi Nëntoka, shëndosh e mirë porsi ata që zbresin në varr:

13do të bëjmë pre çdo gjë të paçmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me të gjitha të mirat.

14Qit short me ne, të gjithë së bashku do të kemi vetëm një kuletë;«

15biri im, ruaj se shkon me ta, rrudhe këmbën tënde nga shtigjet e tyre.

16Sepse këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe nxitojnë për të derdhur gjak.

17Më kot veç qitet rrjeta para syve të shpendëve.

18Të tillët vënë pritë kundër gjakut të vet dhe të keqen ia mendojnë vetvetes.

19I tillë është fundi i secilit që jepet pas cubnisë, ia merr jetën atij që mbas saj jepet.

Urtia: Qorton të pakujdesshmit

20Urtia del përjashta e predikon, nëpër sheshe e lartëson zërin e vet,

21u flet kalimtarëve udhëve kryesore, në logje të qytetit thotë fjalët e saj e thotë:

22»Deri kur, o kakareça, do ta doni papjekurinë, e përqeshësit do ta dëshirojnë përqeshjen e të marrët do ta urrejnë urtinë?

23Vështroni qortimet e mia! Ja, para jush po e hap shpirtin tim, do t’jua tregoj fjalët e mia.

24E pra, ju thirra e ju nuk deshët, jua shtriva dorën e askush s’m’i lëshoi sytë,

25i përbuzët të gjitha këshillat e mia, e s’vratë vesh për qortimet e mia.

26Po edhe unë do të qeshem për rrënimin tuaj, do të bëj lojna kur ju t’ju kapë frika,

27kur tmerri si stuhi të sulet mbi ju, kur thellimi t’ju shkundë për sosje, kur t’ju mbulojë vështirësia e shtrëngimi.

28Atëherë do të më thërrasin, por unë s’do të përgjigjem, me ngulm do të më kërkojnë, por nuk do të më gjejnë.

29Pasi e kanë urryer disiplinën dhe nuk e zgjodhën frikën e Zotit,

30as s’e pranuan këshillin tim dhe i përbuzën të gjitha qortimet e mia,

31do ta hanë frytin e sjelljes së vet do të ngopen me rrjedhojat e këshillave të veta.

32Iria për arsimim do t’i mbytë të thjeshtët, vetësiguria do t’i vrasë marranat.

33E kush do të më dëgjojë mua, i qetë do të pushojë edhe do të jetë në paqe pa frikën e së keqes.«