Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 2

Urtia mbrojtje nga shoqëria e keqe

22 vargje

Urtia mbrojtje nga shoqëria e keqe

1Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan në brendinë tënde urdhrat e mi,

2duke ia vënë veshin urtisë dhe duke e prirur zemrën tënde për ta njohur mençurinë;

3nëse patjetër do ta vësh në veprim kuptimin e nëse do ta ftosh maturinë,

4nëse do ta kërkosh porsi argjendin, nëse do ta lypësh porsi visarin,

5veç atëherë do ta kuptosh frikën e Zotit dhe do ta gjesh dijen e Hyjit.

6Sepse ai që e dhuron urtinë është Zoti dhe prej gojës së tij del dija e mençuria.

7Ai e ruan për udhëheqës aftësinë, mburojë do të jetë për ata që e ndjekin të drejtën.

8Ai e mbron atë që ecën udhës së drejtësisë, që i ruan udhët e shenjtërve.

9Atëherë do ta kuptosh drejtësinë e gjyqin, të drejtën dhe të gjitha udhët e mira,

10sepse urtia do të hyjë në zemrën tënde dhe shpirtit tënd do t’i pëlqejë dija.

11Maturia do të kujdeset për ty, mençuria do të të ruajë,

12do të shmangesh nga udha e keqe dhe prej njeriut që mëson gabimin,

13prej njerëzve që e lënë udhën e drejtë, për të ecur udhëve të errëta,

14të cilët gëzohen kur mund ta bëjnë të keqen e kënaqen në punët e veta të mbrapshta;

15udhët e tyre janë të gabuara e hapat e tyre janë dijekeqas të këqij.

16Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj, prej të huajës që tëhollon zërin,

17që e braktisi zotërinë e rinisë së vet dhe e harroi besëlidhjen e Hyjit të vet.

18Sepse shtëpia e saj është kthyer në vdekje, hapat e saj shpien në mbretërinë e vdekjes;

19kushdo hyn tek ajo më nuk kthehet, nuk i gjen më shtigjet e jetës.

20Prandaj ec udhës të të mirëve edhe ruaje rrugën e të drejtëve,

21sepse të drejtët do të banojnë në tokë dhe të ndershmit do të qëndrojnë në të,

22kurse të paudhët do të zhduken nga faqja e dheut, të pabesët do të zhgulen prej saj.