Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 14

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (5)

35 vargje

1Gruaja e urtë e ndërton shtëpinë, kurse e marra me duar të veta e rrënon.

2Kush ecën me drejtësi, e ka frikë Zotin, kurse ai që ecën udhës së pandershme, urren Atë.

3Në gojën e të marrit shkopi i krenisë, kurse buzët e të urtëve i ruajnë të mençurit.

4Ku nuk ka qe, grazhdet janë të zbrazëta, por mbushulli drithi është prej fuqisë së kaut.

5Dëshmitari i vërtetë nuk rren, gënjen dëshmitari i rrejshëm.

6Përqeshësi kërkon urtinë e nuk e gjen, kurse për të mençurin mësimi është i lehtë.

7Largohu prej të marrit, sepse s’do të gjesh tek ai buzë të mençura.

8Urtia e të mençurit është të ruajë sjelljen e vet, paurtia e të marrit çon në gabime.

9Të marrët s’i japin rëndësi mëkatit, kurse ndër të drejtët qëndron hiri.

10Zemra e njeh mjerimin e vet, por në gëzimin e saj askush i huaj s’mund të ketë pjesë.

11Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet, kurse banesa e të drejtëve do të lulëzojë.

12Ka edhe udhë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo shpie në vdekje.

13Edhe në të qeshur zemra mund të sprovojë dhimbje, pas gëzimit vjen hidhërimi.

14I marri shpejt do të ngihet me sjelljet e veta, por në këtë gjë njeriu i mirë është më i lartë.

15Thjeshtamani beson gjithçka thuhet, kurse i urti i ka kujdes hapat e vet.

16I urti di të druajë e t’i shmanget të ligës, kurse i marri shkapërcen me besim në vetvete.

17I padurueshmi bën marrëzira, njeriu dinak është i urryer.

18Prona e thjeshtamanëve është marrëzira, keza e të mençurëve është urtia.

19Në gjunjë bien të këqijtë para të mirëvet, edhe të patenzonët para dyerve të të drejtëve.

20Skamnori bëhet i urryeshëm edhe për fqinjin e vet, kurse pasanikët kanë shumë miq.

21Kush e përbuz të afërmin e vet, gabon, kurse kush ka dhimbje për të varfërin, do të jetë i lum.

22Vallë a nuk gabojnë ata që bëjnë të keqen? Mëshirë e mirësi do të jetë ndër ata që synojnë të mirën.

23S’ka mund që nuk jep dobi, llomotitja me fjalë sjell veç varfëri.

24Kurora e të urtëve është pasuria e tyre, të marrët për kurorë kanë marrëzinë.

25Dëshmitari i vërtetë shpëton shpirtra, mësalla me dy faqe përhap gënjeshtra.

26Shpresa e të fortëve në frikën e Zotit, edhe për bijtë e tij do të jetë strehim.

27Frika e Zotit është burim jete, që shpëton nga leqet e vdekjes.

28Në madhësinë e popullit denjësia e mbretit, në pakicën e njerëzve rrënimi i prijësit.

29Njeriu i durueshëm është plot mençuri, idhnaku qet në shesh marrëzirën e vet.

30Zemra e shëndoshë jeta e trupit, smira kalbësim i eshtrave.

31Kush ndrydh të vobektin çnderon Krijuesin e tij, kurse e nderon Krijuesin kush mëshiron skamnorin.

32Sharron i keqi për shkak të bakeqësisë së vet, kurse i drejti shpreson në ndershmërinë e vet.

33Në zemrën e të mençurit pushon urtia, vallë a do të pranohet nga ana e të marrëve?

34Drejtësia i lartëson popujt, kurse turpi i popujve është mëkati.

35I pëlqen mbretit shërbëtori i urtë, kurse hidhërohet në atë që bën turpësi.