Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 15

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (6)

33 vargje

1Përgjigjja e ëmbël e zbut hidhërimin, fjala e rëndë ngreh felgrimin.

2Gjuha e të urtëve pikon dijen, goja e të marrëve valon marrëzinë.

3Sytë e Zotit janë në çdo vend: i vrojtojnë të marrët e të urtët.

4Gjuha e ëmbël është dru e jetës, kurse e ashpra plagos shpirtin.

5I pamendi e përqesh mësimin e t’et, ndërsa kush i pranon qortimet, bëhet më i urtë.

6Në shtëpinë e të urtit pasuri e madhe, fryti i të patenzonit shkatërrimi.

7Buzët e të urtëve mbjellin urtinë zemra e të marrëve nuk do të jetë e drejtë.

8Flitë e të patenzonëve i iriten Zotit kurse kushtet e të drejtëve i pëlqejnë Atij.

9Zoti e urren sjelljen e të paudhit, kurse e do atë që e ndjek drejtësinë.

10Ndëshkim të rëndë ka kush e lë udhën e drejtë, kush i urren qortimet, do të vdesë.

11Nëntoka dhe Humnera janë para Zotit: aq më tepër zemra e bijve të njerëzve!

12Përqeshësi nuk e do atë që e qorton, ai nuk shkon me të urtët.

13Zemra e gëzuar e kthjell fytyrën, kurse në hidhërim të zemrës shpirti ligështohet.

14Zemra e të urtit kërkon mësimin, kurse goja e të marrit ushqehet me marrëzirë.

15Të gjitha ditët e të mjeruarit janë të këqija, zemërhareshmi vazhdimisht ka gosti.

16Më shumë vlen pakica me frikën e Zotit, se visare të mëdha e me to shqetësimi.

17Më mirë një lëng barishtesh me dashuri, se mish viçi të majmë me urrejtje.

18Idhnaku shkakton grindje, kurse njeriu i durueshëm i zbut ato.

19Udha e përtacit si gardh ferrash, kurse udha e të drejtëve e sheshuar.

20Djali i urtë e gëzon babën, njeriu i marrë e përbuz nënën e vet.

21Për të pamendin marrëzira është gëzim, kurse njeriu i mençur ecën drejt udhës së vet.

22Ku s’ka këshill, shkojnë huq synimet, sendërtohen ku ka këshilltarë mjaft.

23Njeriu i gëzohet përgjigjes së gojës së vet, e fjala me kohë e me vend sa e mirë që është!

24Njeriun e mendshëm udha e jetës e shpie përpjetë, që t’i shmanget Nëntokës që është poshtë.

25Zoti do ta rrënojë shtëpinë e krenarëve, kurse do t’i bëjë të fortë kufijtë e vejushës.

26Mendimet e këqija i iriten Zotit, kurse fjala e pastër është shumë e bekuar.

27Shkatërron shtëpinë e vet kush jepet pas lakmimit, kurse do të jetojë ai që i urren ryshfetet.

28Mendja e të drejtit mendon njëherë e atëherë përgjigjet, kurse goja e të paudhëve bumullon me të këqija.

29Zoti është larg nga të pashpirtët, kurse uratat e të drejtëve i dëgjon.

30Drita e syve gëzon shpirtin, zëri i mirë i maj eshtrat.

31Veshi që i dëgjon qortimet e jetës qëndron në mes të urtëve.

32Kush i shmanget disiplinës, e urren jetën e vet, kurse ai që i pranon qortimet, fiton maturinë.

33Frika e Zotit mësim urtësie edhe lavdisë i prin përvujtëria.