Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 17

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (8)

28 vargje

1Më e mirë është një kafshatë buke të thatë më paqe, se një shtëpi plot mish flish, por me grindje.

2Shërbëtori i mençur i mbizotëron bijtë e pandershëm dhe do të ketë trashëgim ndër vëllezër.

3Sikurse në zjarr sprovohet argjendi dhe në furrë ari, po ashtu Zoti i sprovon zemrat.

4Bakeqi i dëgjon buzët e paudha, rrenacaku ia vë veshin gjuhës gënjyese.

5Kush e përbuz skamnorin poshtëron Krijuesin e tij, dhe kush i kënaqet të keqes së shokut, s’do të mbetet i pandëshkuar.

6Kurora e pleqve bijtë e të bijve, lavdia e bijve etërit e tyre.

7S’i kanë hije të marrit fjalët e bukura, as princit buza rrenacake.

8Dhurata është margaritar magjik për të zotin: kahdo të sillet puna i shkon mbarë.

9Kush mbulon fajin, kërkon miqësi, kush shpërhall, i largon edhe miqtë e ngushtë.

10Më shumë i vlen të mençurit një qortim se të marrit njëqind të rrahura.

11Burri i keq gjithmonë kërkon grindje, por kundër tij do të dërgohet një bajloz mizor.

12Më mirë të takohesh me arushën që ia kanë rrëmbyer këlyshët, se me marranin që beson në marrëzinë e vet.

13Kush e shpërblen të mirën me të keqe, prej shtëpisë së tij kurrë s’do të largohet e keqja.

14Shpërthim ujërash vërshimi është fillimi i grindjes, prandaj, para se të niset zënia, largohu.

15Si ai që nxjerr të pafajmë të ligun si ai që dënon të drejtin, të dy i iriten Zotit.

16Ç’vlerë kanë paratë në dorën e të marrit? Për të blerë urtësinë? Po ai s’ka mend!

17Kush është mik ai do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.

18Është mendjeshkurtër kush jep dorën e hyn dorëzanë për të afërmin e vet.

19E do mëkatin kush e do grindjen, kush e lartëson derën e vet, kërkon rrënimin.

20Zemërkeqi nuk do të shohë mirë, e kush s’e rrudhë gjuhën, do të bjerë në mjerim.

21Kush lind të marrin, lind pikëllimin e vet; jo, s’do të gëzohet as baba i marranit.

22Zemra e gëzuar bën të lulëzojë jeta, shpirti i trishtueshëm i than edhe eshtrat.

23I ligu merr dhurata nga gjiri për t’i shtrembëruar udhët e gjyqit.

24Urtia ndriçon në fytyrën e të mençurit, kurse të marrit sytë i shkojnë në skaj të botës.

25Djali i marrë farmak për babën, dhe vuajtje për nënën që e lindi.

26S’është mirë të ndëshkohet i drejti, të rrahet njeriu i ndershëm është kundër drejtësisë.

27Kush i frenon fjalët e veta, është njeri i mençur, kush di të ruajë qetësinë, është njeri i matur.

28Edhe i marri, po të heshtonte, do të çmohej i mendshëm, e, po t’i rrudhte buzët e veta, i kuptueshëm.