Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 19

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (10)

29 vargje

1Më i mirë është skamnori që jeton me nder, se prozhmuesi që është i marrë.

2Zelli pa peshim s’është gjë e mirë edhe kush ngutet merr në thua.

3Marria e vet njeriut ia prish jetën e ai atëherë në zemrën e vet hidhërohet kundër Zotit.

4Pasuria shton shumë miq; kurse skamnori mënjanohet edhe prej mikut.

5Dëshmitari i rrejshëm nuk do të mbetet i pandëshkuar, manà s’do të shpëtojë ai që flet rrena.

6Shumë janë asish që e lavdërojnë ndër sy të pushtetshmin, e të gjithë janë miq me atë që shpërndan dhurata.

7Njeriun e vobektë e urrejnë të gjithë vëllezërit e tij, aq më tepër i largohen edhe miqtë e tij. Mund të rrahë me buzë, por pa farë dobie.

8Kush ka mend e do vetveten, kush e ruan maturinë do të gjejë mirë.

9Dëshmitari i rremë s’do të mbetet i pandëshkuar, dhe do të mbarojë ai që shpërndan rrena.

10S’i ka hije të marrit të jetojë në kënaqësitë aq më pak skllavit t’u urdhërojë princave.

11Urtësia e njeriut e bën atë ta zbutë hidhërimin dhe lavdia e tij është të kalojë përmbi fyerjet.

12Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit, kurse porsi vesa mbi bar është hiri i tij.

13Djali i marrë është rreziku i zi i babës, kurse gruaja grindavece si pullazi që vazhdimisht pikon.

14Shtëpi e pasuri trashëgohen prej të parëve, kurse gruaja e mençur është dhuratë e Zotit.

15Përtacia bie gjumë të rëndë, njeriu i pakujdesshëm do të pësojë uri.

16Kush i mban urdhërimet, ruan vetveten, kurse kush nuk e kujdeson sjelljen e vet, sharron.

17I huazon Zotit, kush ka mëshirë për skamnorin, e Zoti do ta shpërblejë.

18Deri që të ketë shpresë ndreqjeje, ndëshkoje birin tënd, por mos e tepro deri në vrasje.

19Kush është i padurueshëm, le ta paguajë ndëshkimin, e nëse e fal, e bën edhe më të zi.

20Dëgjoje këshillin e pranoje disiplinën që të jesh i urtë në ditët e tua të fundit.

21Shumë sendërgjime ka në zemrën e njeriut, por bëhet ashtu si është vullnesa e Zotit.

22Mirësia është ajo që e bën njeriun të duhet, më i mirë është skamnori se gënjeshtari.

23Frika e Zotit shpie në jetë, dhe kush është plot me të s’ka pse e dron të keqen.

24Përtaci e ngjyen dorën e vet në kupë, por s’mund ta çojë deri në gojë të vet.

25Bjeri përqeshësit, mëson mend edhe i marri, nëse e ndëshkon të urtin, do ta marrë vesh dijen.

26Kush e merr me të keq babën e e bën të ikë nënën, është djalë i pandershëm dhe i poshtër.

27Ki besim, o bir, ta dëgjosh mësimin dhe s’do të gabohesh nga fjalët e urtisë.

28Dëshmitari i keq e përqesh gjyqin dhe goja e të paudhëve e përpin paurdhërinë.

29Për përqeshës gati janë shkopinjtë dhe të rënat për shpinë të të marrëve.