Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 20

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (11)

30 vargje

1Vera sjell shfrenim e alkooli bën njerëz të pacipë, kushdo jepet pas tyre, nuk do të jetë kurrë i urtë.

2Felgrimi i mbretit porsi ulërima e luanit: kush e nguc, mëkaton kundër vetvetes.

3Është nder për njeriun t’u shmanget rragatjeve, porse të gjithë të marrët përzihen në grindje.

4Ngase pati të ftoftë përtaci, s’deshi të lërojë; do të dalë të lypë verës, por s’do t’i japin.

5Këshilli në zemrën e njeriut është si uji në thellësi, por i mençuri do t’ia dalë ta nxjerrë.

6Shumë njerëz mbahen për të mirë: por kush mund ta gjejë një njeri besnik?

7I drejti që jeton në ndershmërinë e vet do t’i lërë pas fëmijët e vet të lumtur.

8Mbreti, kur rri në fronin gjykatës të vet me sy i shqyrton të gjitha të këqijat.

9Kush mund të thotë: »E pastrova zemrën time, jam i pastër nga mëkati?«

10Peshore e peshore, masë e masë: të dyja janë në iri te Zoti.

11Edhe fëmija njihet sipas asaj që bën: a është vepra e tij e pastër e e drejtë.

12Edhe veshin që dëgjon edhe syrin që shikon: të dy Zoti i ka bërë.

13Mos ta ketë ëndja gjumin që të mos ndrydhë skamja, mbaj sytë hapur nëse do të ngihesh me bukë.

14»E keqe është, e keqe është!«, thotë çdo blerës, por si të largohet, atëherë lëvdohet.

15Ka ar e mbushulli margaritarësh, por gjëja më e çmueshmja janë buzët e urtësisë.

16Merrja petkun e shtatit atij, që i hyri dorëzanë të huajit: prej tij merre pengun në vend që prej të huajve.

17E ëmbël i duket njëherë njeriut buka e rrenës, por pastaj goja i mbushet me guraleca.

18Synimet forcohen me këshill: bjer në luftë pasi të jesh menduar mirë!

19Me atë që zbulon fshehtësitë e shpifjet dhe që s’i mban goja arra, mos bëj shoqëri.

20Kush nëm babën e vet e nënën iu fiktë drita në mes të errësirës.

21Pasuria e fituar shpejt në fillim s’do të dalë e bekuar në fund.

22Mos thuaj: »Do ta kthej të keqen që m’u bë!«, ki besim në Zotin e ai do të të shpëtojë.

23Peshë e peshë i iritet Zotit, peshorja e rreme nuk është e mirë para syve të tij.

24Zoti i drejton hapat e njeriut; e si atëherë njeriu mund ta dijë udhën e vet?

25Është lak për njeriun të thotë: »Po bëj kusht!«, e pastaj të shqyrtojë çka kushtoi.

26Mbreti i urtë i shqyrton mirë mëkatarët e pastaj i shklet me rrotë.

27Dritëz e Zotit është shpirti i njeriut që depërton deri në fund të zemrës.

28Mëshira dhe e vërteta e ruajnë mbretin, me butësi ai e përforcon fronin e vet.

29Stolia e të rinjve është fuqia e tyre, kurse flokët e thinjur janë stolia e pleqve.

30Plaga që kullon shëron të ligën, po ashtu edhe të rrahurat palcën e qenies.