Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 26

V. PËRMBLEDHJA E DYTË E FJALËVE TË URTA TË SALOMONIT (2)

28 vargje

1Si bora në verë dhe shiu në kohë të të korrave ashtu i kanë hije nderimet të marrit.

2Si shpendi kur merr fluturimin, porsi dallëndyshja kur fluturon, kështu s’shkon në vend as nëma e paarsyeshme.

3Frushkulli për kalë, ullari për gomar dhe shkopi për shpinën e të marrëve.

4Mos i përgjigj të çmendurit sipas çmendjes së tij që edhe ti të mos bëhesh i ngjajshëm me të;

5përgjigji të çmendurit sipas çmendjes së tij që të mos i duket vetja i urtë.

6Ia pret vetes këmbët dhe dehet me turp kush çon fjalë me anë të të marrit.

7Si fyelli i ligshtë i këmbës së çalamanit, ashtu është fjala e urtë në gojën e marranit.

8Si ai që e fsheh një gur në grumbull është ai që e nderon të marrin.

9Gemb ferre në dorën e të dehurit është fjala e urtë në gojën e të marrëve.

10Si shigjetari që plagos gjithkënd është ai që merr në punë të marrin e endacakun.

11Porsi qeni që kthehet në të vjellat e veta është i marri që e përsërit marrëzinë e vet.

12A ke hasur njeriun që vetja i duket i urtë? Më shumë mund të pritet prej një të marri se prej tij.

13Përtaci thotë: »Luanesha në rrugë! Luani në shesh!«

14Dera sillet në thithin e vet edhe përtaci në shtratin e vet.

15E shtie përtaci dorën në pjatë, por lodhet ta çojë deri te goja e vet.

16Përtacit i duket vetja më i mençur se shtatë pleqve që përgjigjen me urtësi.

17Kap qenin për veshësh ai që në kalim përzihet në grindje të tjetërkujt.

18Porsi ai që del mendsh e gjuan shigjeta e heshta për të vrarë,

19është ai që e gënjen mikun e vet e thotë: »Pse a s’desha të luaj?«

20Kur mungojnë drutë, fiket zjarri, kështu edhe, kur dëbohet shpifësi, pushojnë grindjet.

21Porsi thëngjilli për prush e drutë për zjarr i tillë është grindaveci për të ndezur grindje.

22Fjalët e shpifësit janë porsi ëmbëlsira: edhe ato arrinë deri në fund të barkut.

23Ndryshk argjendi stoli e enës prej dheut: janë fjalët përkëdhelëse e zemra e keqe.

24Armiku të shtiret me fjalët e veta kurse në zemrën e vet sendërgjon tradhti:

25kur ta zbusë zërin e vet, ruaj se i beson, sepse shtatë iri i fsheh në zemrën e vet;

26nëse me shtijaraki e mbulon urrejtjen, zemra e tij e keqe do të zbulohet në mbledhje.

27Kush hap gropën në të do të bjerë, e kush rrokullis gurin mbi të do të kthehet.

28Gjuha e rreme nuk e do të vërtetën, goja përkëdhelëse përgatit rrënimin.