Të gjithë kapitujt

Galatasve · Kapitulli 1

Përshëndetje, Nuk ka veçse një Ungjill, etj.

24 vargje

Përshëndetje

1Pali - apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve -

2dhe të gjithë vëllezërit që janë me mua: Kishave të Galacisë.

3Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht,

4i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona për të na shpëtuar nga shekulli i tashëm i keq, në përkim me vullnetin e Hyjit, Atit tonë,

5i cili qoftë lavdëruar në shekuj të shekujve! Amen.

Nuk ka veçse një Ungjill

6Fort po çuditem që kaq shpejt po e lini Atë, që ju thirri në hir [të Krishtit], për të kaluar në një Ungjill tjetër.

7E pra, Ungjill tjetër nuk ka! Por po, ka asi njerëzish që ju turbullojnë dhe që duan ta shndërrojnë Ungjillin e Krishtit.

8Tashti, në qoftë se edhe ne vetë ose edhe ndonjë engjëll prej qiellit - ju predikon një Ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që ju patëm predikuar ne - qoftë mallkuar!

9Siç ju thamë më parë, po ju them edhe tani përsëri: nëse ndokush ju shpall një ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që e pranuat - qoftë mallkuar!

10Pse, a mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj tu pëlqej njerëzve? Po të mundohesha ende tu pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.

Si u thirr Pali apostull

11Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish;

12sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.

13Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë

14e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim.

15Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu

16ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë - unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri

17e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask.

18E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për tu njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë.

19Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë.

20Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej.

21Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë.

22Personalisht isha i panjohur për Kishat e Krishtit në Jude.

23Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte, ”

24dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.