Të gjithë kapitujt

Galatasve · Kapitulli 4

Kujdesi i Palit për galatasit, Alegoria me Agarën e me Sarën

31 vargje

1Dua të them: Derisa trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet në asgjë nga skllavi edhe pse është pronari i të gjithë pasurisë.

2Ai është nën kujdestarë e mbarështues deri në atë ditë që ka caktuar i ati.

3Po kështu edhe ne. Kur ishim të mitur, ishim skllevër të parimeve fillestare të shekullit.

4Por, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit,

5që ti shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.

6E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba - o Atë!

7Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, pasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar.

Kujdesi i Palit për galatasit

8Dikur, kur ende nuk e njihnit Hyjin, u shërbenit hyjnive, që, për kah natyra e tyre, nuk janë hyjni.

9Por tani, kur e njohët Hyjin - më mirë të them: kur Hyji ju njohu ju - si tani rishtas të ktheheni te parimet e dobëta e të mjera dhe prapë rishtas doni të bëheni skllevër të tyre?

10I kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë e vite!

11Gjithë po trembem se kot hoqa keq mes jush!

12Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, se edhe unë u bëra si ju. Me asgjë nuk më fyet!

13Ju e dini se me rastin e një sëmundjeje të trupit tim për herën e parë ju kam kumtuar Ungjillin;

14dhe trazimin që jua bëri trupi im i sëmurë nuk e përbuzët dhe nuk treguat pakënaqësi, por, përkundrazi, më pranuat porsi engjëllin e Hyjit, porsi Jezu Krishtin.

15Ku është tani ai gëzimi juaj i dikurshëm? E pra, unë ju dëshmoj se, të kishte qenë e mundshme, sytë tuaj i kishit nxjerrë për të mi dhënë!

16Kështu? A thua u bëra armiku juaj pse ju them të vërtetën?

17Ata dëftojnë gjasme kujdes për ju, por jo në mënyrë të ndershme - pse duan t’ju ndajnë [prej meje] - që ju pastaj të jepeni me zell pas tyre.

18Mirë është të jeni të rrethuar me kujdes qëllimmirë gjithmonë e jo vetëm kur jam pranë jush,

19o fëmijët e mi, që unë ju rilind me dhimbje rishtas derisa Krishti të formohet në ju.

20Oh, sa dëshiroj të gjendem tani ndër ju, për të gjetur fjalën e përshtatshme për ju, sepse nuk jam në gjendje të vendos ç’të bëj me ju!

Alegoria me Agarën e me Sarën

21E ju që dëshironi të jeni nën Ligj, më thoni, a nuk dëgjoni çka thotë Ligji?

22Sepse, në Shkrimin shenjtë thuhet se Abrahami pati dy djem: njërin prej skllaves e tjetrin prej të lirës.

23Ai prej skllaves është i lindur natyrisht, kurse ai prej gruas së lirë, në fuqi të premtimit.

24Kjo është alegori: këto gra paraqesin dy Besëlidhjet: njëra Besëlidhjen që vjen nga Mali Sinaj - e cila lind për skllavëri - e paraqitur me Agarën;

25e Agara do të thotë Mali Sinaj, që është në Arabi dhe i përgjigjet Jerusalemit të tanishëm - sepse është në skllavëri me gjithë fëmijët e vet.

26Ndërsa Jerusalemi - ai lart - është i lirë, ai është Nëna jonë.

27Sepse në Shkrimin shenjtë është: “Galdo, beronjë, ti që nuk lind fëmijë, gërthit në britmë hareje, ti, që nuk i sprovon dhimbjet e lindjes, sepse e përbuzura ka më shumë fëmijë se ajo që e ka burrin!”

28Kurse ju, o vëllezër, jeni porsi Izaku - fëmijët e premtimit.

29Dhe, sikurse asohere, ai që ishte i lindur natyrisht e salvonte atë që ishte i lindur sipas Shpirtit, ashtu ndodh edhe tani.

30Porse, çka thotë Shkrimi shenjtë; “Dëboje skllaven edhe djalin e saj, sepse biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar me djalin e gruas së lirë!”

31Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të së lirës!