Të gjithë kapitujt

Gjoni · Kapitulli 3

Jezusi e Nikodemi, Jezusi dhe Gjon Pagëzuesi, etj.

36 vargje

Jezusi e Nikodemi

1Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve.

2Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: »Rabbi, e dimë se ti je Mësues që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.«

3Jezusi i përgjigji: »Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.«

4»Si është e mundur - i tha Nikodemi - të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?«

5Jezusi përgjigji: »Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.

6Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është.

7Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’

8Era fryn në drejtim që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.«

9Nikodemi e pyeti: »Si mund të bëhet kjo gjë?«

10Jezusi i përgjigji: »Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq?

11Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them: ne flasim çka dimë e dëshmojmë çka pamë, e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.

12Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë si do të më besoni në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit?

13Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli.

14Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,

15që kushdo të besojnë në të ta ketë jetën e pasosur.

16Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.

17Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.

18Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

19E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija.

20Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija,

21kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tija u bënë siç thotë Hyji.«

Jezusi dhe Gjon Pagëzuesi

22Pastaj Jezusi shkoi me nxënësit e vet në tokën e Judesë. Aty u vendos me ta dhe pagëzonte.

23Edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte mjaft ujë. Njerëzit shkonin dhe pagëzoheshin.

24Gjoni ende nuk ishte burgosur.

25Tashti ngjau një rragatje lidhur me pastrim ligjor ndërmjet nxënësve të Gjonit e një çifuti.

26Shkuan te Gjoni dhe i thanë: »Rabbi, ai që ishte me ty matanë Jordanit - ai për të cilin ti bëre dëshmi - edhe ai po pagëzon, dhe të gjithë po shkojnë tek ai.«

27Gjoni përgjigji: »Askush s’mund të marrë për vete asgjë nëse nuk iu dha prej qiellit!

28Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: ‘Unë nuk jam Mesia, por jam: i Dërguari para tij.’

29Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i cili i rri pranë dhe e dëgjon, kënaqet kur e dëgjon zërin e dhëndërit. I tillë është, pra, gëzimi im: arriti në kulm!

30Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem.«

Ai që vjen prej së Larti

31»Kush vjen prej së Larti, ai është mbi të gjithë! Kush është nga toka, tokësor është dhe flet për gjërat e tokës. Ai që vjen prej qiellit [ai është mbi të gjithë]:

32dëshmon çka pa e çka dëgjoi, por dëshminë e tij askush s’e pranon.

33Kush e pranon dëshminë e tij, pohon se Hyji është i vërtetë.

34Vërtet, i dërguari i Hyjit flet fjalët e Hyjit - sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.

35Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka

36Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, përkundrazi, ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën: hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.«