Të gjithë kapitujt

Gjoni · Kapitulli 4

Jezusi dhe samaritania, Shërimi i djalit të nëpunësit mbretëror

54 vargje

Jezusi dhe samaritania

1Kur Jezusi mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar të flitet se ai po tubonte më shumë nxënës dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

2- edhe pse, në të vërtetë Jezusi nuk pagëzonte, por nxënësit e tij -

3e la Judenë dhe u kthye përsëri në Galile.

4I duhej të kalonte nëpër Samari.

5Arriti, pra, në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pat dhënë Jozefit, birit të vet.

6Aty ishte pusi i Jakobit. Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte kund rreth orës gjashtë.

7Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Jezusi i tha: »Më jep të pi!«

8Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime.

9Samaritania i tha: »Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?« [Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].

10Jezusi i përgjigji: »Po ta dije ti çka të dhuron Hyji dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të jepte ujë të gjallë!«

11»Zotëri - i përgjigji gruaja - ti s’ke as me çka të nxjerrësh e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë?

12A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tija.«

13Jezusi i përgjigji: »Kushdo që pi këtë ujë përsëri do të ketë etje.

14Kurse, kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje, madje uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur.«

15Po i thotë gruaja: »Zotëri, më jep asi uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!«

16Ai i tha: »Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!«

17»Unë nuk kam burrë!« - i përgjigji ajo. »Mirë the! - ia ktheu Jezusi - ‘S’kam burrë!’

18Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!«

19»Zotëri - vijoi gruaja - po shoh se je profet.

20Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet të bëhet adhurimi.«

21Jezusi i tha: »Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem.

22Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve.

23Por po vjen koha - e tani është!- kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë.

24Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.«

25Gruaja i tha: »E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka«

26Jezusi i tha: »Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!«

27Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: »Çka do?« ose: »Pse po flet me të?«

28Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve:

29»Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?«

30Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai.

31Ndërkaq nxënësit po e lutnin: »Rabbi, ha!«

32Ai u tha: »Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.«

33Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: »A mos i solli ndokush ushqim?«

34Jezusi u përgjigji: »Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij.

35A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’ Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë

36korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku!

37Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’!

38Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë: të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.«

39Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: »Më tregoi gjithçka kam bërë.«

40Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë.

41Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij.

42Gruas i thoshin: »Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.«

Shërimi i djalit të nëpunësit mbretëror

43Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile.

44Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet.

45Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.

46Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin e sëmurë në Kafarnaum.

47Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes.

48Jezusi i tha: »Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.«

49Nëpunësi mbretëror i përgjigji: »Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.«

50»Shko - i tha Jezusi - djali yt është shëndosh!« Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.

51Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: »Djali yt është shëndosh e mirë!«

52I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë: »Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!«

53I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: »Djali yt është shëndosh!« Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.

54Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.