Të gjithë kapitujt

Gjyqtarët · Kapitulli 14

Martesa e Samsonit, Gjëegjëza e Samsonit

20 vargje

Martesa e Samsonit

1Samsoni zbriti në Tamnë dhe atje ndër vajzat e filistenjve pa një grua.

2Ktheu në shtëpi e u tha babës e nënës së vet: »Pashë një vajzë ndër bijat e filistenjve dhe po ju bëj lutje të ma merrni për grua.«

3I ati dhe e ëma i thanë: »Po a thua nuk ka gra ndër vajzat e vëllezërve të tu e në mbarë popullin tim që do të marrësh për grua një bijë filistenjsh që janë parrethprerë?« Por Samsoni iu përgjigj t’et: »Ma merr atë, se ajo më pëlqen.«

4Prindërit e tij nuk e dinin se kjo gjë bëhej prej Zotit, i cili kërkonte shkas ngatërrese me filistenj. Asokohe filistenjtë zotëronin mbi Izraelin.

5Kështu, pra, Samsoni po zbriste në Tamnë bashkë me t’anë e t’emën. Kur mbërritën te vreshtat e qytetit, u doli para zogu i luanit duke ulëritur dhe e sulmoi atë.

6Por shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe e copëtoi luanin si të shqyente në copa një edh. E pra, asgjë s’pati në dorë. Për këtë gjë s’deshi t’u tregojë babës e nënës.

7Zbriti dhe bisedoi me gruan që kishte pëlqyer.

8Pas disa ditësh u kthye për ta marrë. Zbriti nën rrugë për të parë kufomën e luanit, kur qe, shema e bletës në trupin e luanit dhe fasholli me mjaltë!

9E mori në dorë dhe po hante rrugës. Kur erdhi tek i ati e tek e ëma, u dha edhe atyre dhe hëngrën. Por nuk deshi t’u tregojë se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.

10Zbriti pra, i ati tek gruaja, e Samsoni bëri aty një gosti. Kështu e kishin zakon të bënin të rinjtë.

11Kur e panë banorët e atij qyteti, i dhanë për shokë tridhjetë vetë që të qëndronin me të.

Gjëegjëza e Samsonit

12Samsoni u tha: »Po ju tregoj një gjëegjëzë dhe, nëse ma zbërtheni brenda shtatë ditëve të gostisë do t’ju jap tridhjetë zhguna dhe tridhjetë petka ndërrimi;

13por në qoftë se nuk do të mund ta shtjelloni, atëherë do të më jepni ju tridhjetë zhguna e po aq petka ndërrimi.« Ata iu përgjigjën: »Tregoje gjëzën ta dëgjojmë.«

14E ai u tha: »Prej atij që ha, doli ç’hahet; prej të fortit doli ëmbëlsira.« Për tri ditë nuk ia dolën ta zbërthenin gjëzën.

15Të katërtën ditë i thanë gruas së Samsonit: »Ngashnjeje tënd shoq dhe mbushja mendjen të ta kallëzojë ty gjëzën: e në qoftë se s’do të bësh kështu, do të të djegim ty dhe shtëpinë e babait tënd. Pse, a na keni ftuar në dasmë për të na plaçkitur?«

16Atëherë gruaja po derdhte lot para Samsonit dhe ankohej duke thënë: »Ti më urren e nuk më do, prandaj as që do të ma shpjegosh gjëegjëzën që ua parashtrove bijve të popullit tim.« Por ai iu përgjigj: »Unë nuk ua dëftova as babës as nënës sime, e si mund të ta shpjegoj ty?«

17Kështu pra, për shtatë ditët e dasmës ajo qau para tij. Në fund, të shtatën ditë, pasi e mërziti, ia shtjelloi. Ajo ua dëftoi menjëherë qytetarëve të vet.

18Ata të shtatën ditë para perëndimit të diellit, i thanë: »Ç’ është më e ëmbël se mjalti e ç’ është më i fortë se luani?« Ai atëherë u tha: »Po të mos kishit lëvruar me mëshqerrën time, gjëegjëzën time nuk do ta kishit gjetur.«

19Shpirti i Zotit e pushtoi, zbriti në Askalon, i vrau tridhjetë burra aty, ua hoqi petkat dhe ua dha atyre që zbërthyen gjëzën. I hidhëruar shumë shkoi në shtëpinë e t’et.

20Gruaja e tij mori për burrë njërin prej djelmoshave që e shoqëroi për ta nderuar në dasmë.