Të gjithë kapitujt

Gjyqtarët · Kapitulli 17

SHTOJCAT, 1. Shenjtërorja e Mikës dhe Shenjtërorja e Danit, etj.

13 vargje

SHTOJCAT

1. Shenjtërorja e Mikës dhe Shenjtërorja e Danit

Shenjtërorja private e Mikës

1Në Malësinë e Efraimit ishte një njeri që quhej Mikë.

2Ky i tha s’ëmës: »Një mijë e njëqind paratë e argjendta, që t’u vodhën e mbi të cilat, si të kam dëgjuar edhe vetë, ke lëshuar mallkimin, ja ku janë, tek unë. Unë i mora.« Ajo iu përgjigj: »Qoftë bekuar prej Zotit biri im!«

3Djali ia ktheu s’ëmës e ajo i tha: »Unë ia kam shuguruar e kushtuar Zotit këto para argjendi: që t’i pranojë prej dorës sime për djalin tim për të punuar një idhull të gdhendur e të shkrirë prej metali. Tani merri ti.«

4Por ai ia ktheu s’ëmës. Kjo mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha argjendtarit që të gdhendte e të shkrinte me ta një idhull që ruhej në shtëpinë e Mikës.

5Ky kishte një shenjtërore të vogël të Hyjit, punoi efod e terafim, e njërin ndër djemtë e vet e bëri prift dhe ai u bë prift për të.

6Asokohe Izraeli nuk kishte mbret, kështu që gjithkush bënte çkado që i dukej drejt të bëjë.

7Tashti, ishte një djalosh i ri prej Betlehemit, prej fisit të Judës, dhe ky ishte levit e banonte aty si ardhacak.

8Dalë një herë prej Betlehemit, mori rrugën e shtegtimit prej një vendi në një tjetër derisa të gjente një vend të përshtatshëm. Duke udhëtuar kështu, erdhi në Malësinë e Efraimit deri te shtëpia e Mikës.

9Ky e pyeti se nga vinte. Ai iu përgjigj: »Jam një levit prej Betlehemit të Judës. Po kërkoj të gjej një vend të përshtatshëm për të banuar.«

10Mika i tha: »Rri tek unë dhe m’u bëj baba e prift. Për çdo vit do të të jap dhjetë sikla të argjendta, veshje e mbathje e ushqim.«

11Leviti pranoi e ndenji tek ai. E mbante sikur të ishte një nga bijtë e tij.

12Mika e emëroi prift dhe djaloshi u bë prifti i tij që banonte tek ai.

13Mika thoshte: »Tani e di se do të më bekojë Zoti, pasi për prift kam një levit.«