Të gjithë kapitujt

Gjyqtarët · Kapitulli 18

Danajt në kërkim të një vendi për të ngulur, Dyndja e Danëve, etj.

31 vargje

Danajt në kërkim të një vendi për të ngulur

1Asokohe nuk kishte ende mbretër në Izrael. Asokohe fisi i Danit kërkonte një vend për pronë për të banuar, sepse deri atëherë nuk i kishte takuar asnjë trashëgim midis fiseve të tjera.

2Prandaj bijtë e Danit dërguan pesë vetë, burra të fortë, prej fisit e barqeve të veta nga Saraja e Estaoli për t’i bërë hetime vendit e për ta njohur me kujdes. U thanë: »Shkoni e bëni hetime vendit.« Këta, kur arritën në Malësi të Efraimit, te shtëpia e Mikës, e kaluan natën aty.

3Pasi ishin afër shtëpisë së Mikës, duke njohur zërin e djaloshit levit, u kthyen aty dhe e pyetën: »Kush të ka prurë këtu? Çfarë bën këtu? Për ç’arsye ke dashur të vish këtu?«

4Djaloshi u përgjigj: »Mika ka bërë këtë e këtë për mua; ai më paguan që t’i jem prift.«

5Ata i thanë: »Pyete për ne Hyjin a do ta bëjmë me sukses udhëtimin që kemi marrë dhe a do të na shkojë gjithçka mbarë.«

6Ky iu përgjigj: »Shkoni në paqe! Rruga dhe udhëtimi juaj është nën mbikëqyrjen e Zotit.«

7Këta shkuan dhe të pestët arritën në Lais. Panë se populli që banonte në të, jetonte në qetësi pa farë frike - sikurse sidonasit - i sigurt e i qetë: askush nuk i trazonte, kishin shumë pasuri, ishin larg prej sidonasve dhe nuk kishin farë shoqërie me Sirinë.

8U kthyen te vëllezërit në Saraa e në Estaol dhe, të pyetur çfarë kishin bërë, u përgjigjën:

9»Çohuni e të shkojmë kundër tyre! Sepse toka që pamë ishte shumë e pasur e e mirë. Pse po pritoni? Mos u matni: çohuni të shkojmë e ta pushtojmë.

10Me siguri do të pushtojmë një tokë të gjerë shumë. Zoti me siguri do të na e dorëzojë! Është një vend ku nuk mungon asgjë që toka prodhon.«

Dyndja e Danëve

11Kështu pra, u nisën gjashtëqind burra me armë lufte ngjeshur prej fisit të Danit nga Saraja e nga Estaoli.

12U nisën dhe fushimin e ngulën në Kariatiarimin e Judës. Ky vend asokohe u quajt Tëbanishta e Danëve e gjendet në perëndim të Kariatiarimit.

13Prej andej u nisën në Malësinë e Efraimit. Kur arritën te shtëpia e Mikës,

14ata pesë vetë që më parë kishin qenë të dërguar për të hetuar tokën Lais, u thanë vëllezërve të vet: »A e dini se në këto shtëpi është efodi e terafimi si dhe idhulli i gdhendur e i shkrirë? Tani, ju dini se ç’duhet bërë!«

15Ata u shmangën pak, hynë në shtëpinë e djaloshit levit, në shtëpinë e Mikës, dhe e përshëndetën me fjalë të mira,

16ndërsa gjashtëqind danët e armatosur rrinin para derës.

17Atëherë ata që kishin hyrë në shtëpinë e djaloshit, morën idhullin, efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë. Para derës qëndronte prifti dhe gjashtëqind vetë të armatosur.

18Morën pra, ata që hynë në shtëpi, idhullin e gdhendur, efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë. Prifti u tha: »Çfarë bëni ashtu?«

19Ata iu përgjigjën: »Hesht dhe vëri kyçin gojës e eja me ne që të të kemi për atë e për prift. Ç’është më mirë për ty: të jesh prift në shtëpinë e një njeriu të vetëm, apo në një fis e në një trung të Izraelit?«

20Prifti u gëzua, mori efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë dhe u nis midis popullit.

21U nisën për rrugë. I qitën para fëmijët, bagëtitë e gjithçka kishin të çmueshme.

22Ishin larguar bukur mirë prej shtëpisë së Mikës, kur qe, njerëzit që jetonin në shtëpitë afër shtëpisë së Mikës, ishin bashkuar dhe u vunë pas bijve të Danit.

23Ia filluan të bërtasin pas shpinës së tyre. Këta, kur i panë, i thanë Mikës: »Ç’ke? Pse jeni bashkuar?«

24Ai u përgjigj: »I morët zotat e mi që i gdhenda për vete, më morët priftin dhe gjithçka pata e tash më pyesni: ‘Ç’ke’«

25Bijtë e Danit iu përgjigjën: »Qepe e mos fol më se po u hidhëruan njerëzit e të sulmuan, sharron ti dhe mbarë shtëpia jote.«

26Si thanë kështu, vazhduan udhën që kishin marrë. Mika, pasi pa se ishin më të fortë, u kthye në shtëpinë e vet.

Pushtimi i Laisit. Themelimi i Danit dhe shenjtërorja e tij

27Këta gjashtëqind vetë morën atë që Mika kishte dhënë t’i punohej edhe priftin e tij dhe arritën në Lais te një popull që ishte në qetësi e pa farë frike. Banorët i kaluan në tehun e shpatës e qytetit i dhanë zjarrin.

28Askush nuk u erdhi në ndihmë, sepse jetonin larg Sidonit e me Sirinë nuk kishin asfarë shoqërimi dhe as marrëdhënie. Qyteti ishte në krahinën e Rohobit. Këtë e rindërtuan dhe banuan në të.

29Qytetin e quajtën Dan, me emrin e themeluesit të fisit të tyre, që i lindi Izraelit. Ai më parë quhej Lais.

30Bijtë e Danit e vendosën idhullin. Jonatani, biri i Gersamit, bir i Moisiut, dhe bijtë e tij ishin priftërinj në fisin e Danit deri ditën kur populli qe tretur në skllavëri.

31Për tërë këtë kohë idhulli i Mikës qëndroi ndër ta, për kohën sa ishte shtëpia e Hyjit në Silo.