Të gjithë kapitujt

Gjyqtarët · Kapitulli 3

Popujt që mbijetuan, HISTORIA E GJYQTARËVE, etj.

31 vargje

Popujt që mbijetuan

1Këta janë popujt që Zoti i la pa i zhdukur për t’i mësuar izraelitët, të gjithë ata që nuk i sprovuan luftërat e kanaanëve.

2Qëllimi ishte që të mësonin të luftonin me armiq bijtë e Izraelit - brezat që nuk e kishin sprovuar mjeshtërinë e luftës -:

3mbetën pesë princa filistenj, të gjithë kananenjtë, sidonasit, e hevenjtë, që banonin në malet e Libanit prej malit Baalhermon deri në hyrje të Ematit.

4Bëri kështu për t’i vënë në provë izraelitët nëse do t’i dëgjojnë urdhërimet e Zotit që ua kishte urdhëruar etërve të tyre me anë të Moisiut apo s’do t’i dëgjojnë.

5Kështu të bijtë e Izraelit jetuan së bashku me kananenj, hetenj, amorrenj, ferezenj, hevenj e jebusenj,

6i morën për gra bijat e tyre, po edhe ata u dhanë për gra atyre bijat e veta dhe u shërbyen zotave të tyre.

HISTORIA E GJYQTARËVE

1. Otonieli

7Izraelitët bënë të keqen ndër sy të Zotit: e harruan Zotin, Hyjin e vet, e i shërbyen Baalit dhe Astarotit.

8Zoti u hidhërua në Izraelin dhe i lëshoi në dorë të Kusanrasataimit, mbretit të Mesopotamisë, dhe i shërbyen atij për tetë vjet.

9Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai u ngriti shpëtimtarin që i çliroi, Otonielin, d.m.th. birin e Cenezit, vëllanë e vogël të Kalebit.

10Shpirti i Zotit qe në të dhe u bë gjyqtar i Izraelit. Ai nisi luftën dhe Zoti në dorën e tij lëshoi Kusanrasataimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe ngadhënjeu mbi të.

11Vendi pati paqe për dyzet vjet.

2. Aodi

Pasi vdiq Otonieli, biri i Cerezit,

12izraelitët ia filluan prapë të bëjnë të keqen ndër sy të Zotit. Zoti i dha fuqi kundër tyre Eglonit, mbretit të Moabit, sepse bënë të keqen para syve të Zotit.

13Egloni u bashkua me bijtë e Amonit e të Amalekut, e sulmoi dhe e mundi Izraelin dhe e pushtoi qytetin e Palmave.

14Bijtë e Izraelit i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, tetëmbëdhjetë vjet.

15Atëherë izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit e Zoti u ngriti shpëtimtarin, Aodin, birin e Gerës, prej Beniaminit, që përdoronte të majtën në vend të së djathtës. Izraelitët e dërguan atë t’ia çonte tatimet Eglonit, mbretit të Moabit.

16Aodi punoi për vete një thikë me dy tehe, të gjatë një pëllambë dore dhe e ngjeshi nën petka në ijë të djathtë

17dhe ia çoi tatimet Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i majmë.

18Pasi ia dorëzoi tatimet, i nisi të shkonin shokët që i kishin mbartur

19dhe u kthye prej Galgalës, ku ishin idhujt, e i tha mbretit: »Kam të të them një fjalë në vesh, o mbret.« Mbreti urdhëroi heshtjen. Ata që ishin përreth, shkuan.

20Aodi kishte hyrë tek ai që po rrinte në dhomën e freskët verore që ishte vetëm për të, dhe i tha: »Kam të të them fjalën e Hyjit.« Ky u ngrit vrik prej fronit.

21Atëherë Aodi e shtriu dorën e majtë dhe nxori thikën prej ijës së djathtë të vet dhe ia nguli në bark

22aq rreptë, saqë edhe dorëza u fut krejtësisht në plagë dhe e shtrëngoi dhjami i majmë. Dhe as që e nxorri thikën, por, ashtu siç e goditi, ia la në trup. Vrik për varre i doli uti.

23Aodi doli në treme, mbylli pas vetes derën e dhomës, i vuri shulin.

24Pasi doli Aodi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe, pasi panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura, thanë: »Me siguri do të ketë dalë për vedi në dhomën e freskët.«

25Pritën gjatë derisa filluan të shqetësohen e, kur panë se nuk po e çel derën, morën çelësin dhe, kur e çelën, patën ç’të shihnin: zotëriu i shtrirë për tokë i vdekur!

26E, ndërsa ata po prisnin, Aodi kishte ikur, i kaloi Idhujt, nga ishte kthyer, dhe arriti në Seirë.

27Posa arriti, doli në malin e Efraimit e i ra borisë. Bashkë me të zbritën izraelitët. Ai u shkonte gjithkund në ballë.

28Ai u tha: »Ejani pas meje, sepse Zoti jua lëshoi armiqtë tuaj moabitët në duar tuaja!« Zbritën bashkë me të dhe i zunë vatë e Jordanit të kalimit për në Moab dhe nuk lanë të kalojë askush.

29Me atë rast i vranë rreth dhjetë mijë moabitë, njëri më burrë i fortë se tjetri. Asnjë prej tyre nuk mundi t’u shpëtojë.

30Që përulur atë ditë Moabi nën dorën e Izraelit dhe vendi pati qetësi për tetëdhjetë vjet.

3. Samgari

31Pas këtij qe Samgari, biri i Anatit, i cili me një hosten qesh i vrau gjashtëqind burra filistenj. Kështu edhe ky i shpëtoi izraelitët.