Të gjithë kapitujt

Hagai · Kapitulli 1

Rindërtimi i Tempullit

15 vargje

Rindërtimi i Tempullit

1Në vitin e dytë të mbretit Dari, në të gjashtin muaj, të parën ditë të muajit, me anë të profetit Agje, i qe drejtuar fjala e Zotit Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, edhe Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit:

2“Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ky popull po thotë: ‘Ende s’ka ardhur koha të ndërtohet Shtëpia e Zotit. ’”

3Këndej edhe erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Agje:

4“Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të tavanosura e kjo Shtëpi të mbesë shkretë?

5Tani, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë:

6mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e vuri në qese të shqyer.

7Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë!

8Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni Shtëpinë; kjo gjë do të më pëlqejë e do ta dëftoj lavdinë time - thotë Zoti.

9Shpresuat se do t’ju bëhet shumë dhe, ja, u bë pak: edhe aq sa sollët në shtëpi, unë fryva e jua treta. E përse - thotë Zoti i Ushtrive? Sepse Shtëpia ime është rrënojë e ju secili kujdesoheni për shtëpinë tuaj!

10Prandaj u qe urdhëruar qiejve të mos japin vesë edhe tokës i qe urdhëruar të mos e japë frytin e vet.

11Këndej unë e çova thatësinë përmbi tokë, përmbi bjeshkë, përmbi drith, përmbi verë, vaj dhe përmbi çdo prodhim të tokës, mbi njerëz e mbi bagëti e përmbi çdo punë dore.”

12Zorobabeli, biri i Salatielit, Jezuai, biri i Jozedekut, kryeprifti, dhe mbarë Teprica e popullit, e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të vet, dhe fjalët e profetit Agje, në atë për çka Zoti, Hyji i tyre, e kishte dërguar atë tek ata. Populli pati frikë prej Zotit.

13Atëherë Agjeu, lajmëtari i Zotit, kështu i tha popullit sipas urdhrit që kishte prej Zotit: “Unë jam me ju, thotë Zoti!”

14Zoti e zgjoi shpirtin e Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, dhe shpirtin e Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit, dhe të mbarë Tepricës tjetër të popullit e ata erdhën e ia hynë punës në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive, Hyjit të vet.

15Ishte e njëzetekatërta ditë e muajit të gjashtë, viti i dytë i mbretërimit të Dariut.