Të gjithë kapitujt

Sofonia · Kapitulli 3

III. KUNDËR JERUSALEMIT, Kundër drejtuesve të kombit, etj.

20 vargje

III. KUNDËR JERUSALEMIT

Kundër drejtuesve të kombit

1Vaj për ty, qytet kryengritës, i papastër e i dhunshëm!

2Se dëgjoi thirrjen, s’pranoi qortimin! Në Zotin nuk pati besim, Hyjit të vet nuk iu afrua!

3Mes tij princat e tij luanë ulëritës; gjykatësit bishë shkretëtire që asht s’ruajnë për mëngjes!

4Profetët e tij fjalëmëdhenj, njerëz rrenacakë! Priftërinjtë e tij dhunojnë Shenjtëroren, dhunë i bëjnë Ligjit!

5Në mes të tij i drejtë është Zoti, s’bën paudhësi; çdo mëngjes e dëfton të drejtën, porsi dritën që kurrë s’mungon. Por i paudhi s’di ç’është turpi!

Mësimi i kombeve

6“I shkallmova popujt, i rrënova pirgjet e tyre, i shkretova udhët e tyre: askush nëpër to s’kalon! Ua shova të gjitha qytetet, kështu që s’mbeti asnjë banues!

7Mendova: Tani do të më duash, do të ma pranosh mësimin! S’do të zhduken prej syve të tyre ndëshkimet që unë ua solla! Por jo! Shpejtuan t’i prishin të gjitha veprimet e veta!

8Prandaj, më prit ku je! - është fjala e Zotit - ditën kur të ngrihem paditës, sepse vendosa të bashkoj popujt tok t’i mbledh mbretëritë, që ta zbraz mbi ta zemërimin, tërë hidhërimin e zemërimit tim: në flakadanin e zellit tim do të përpihet toka mbarë!”

IV. PREMTIMET

Kthimi i popujve paganë

9Atëherë popujve do tua bëj buzët e pastërta, që të gjithë të thërrasin emrin e Zotit e krahakrahas t’i shërbejnë!

10Prej përtej lumenjve të Etiopisë, që prej andej të devotëshmit e mi, bijtë e të treturve të mi, dhuratë do të më sjellin!

Teprica e përvuajtur e Izraelit

11“Po atë ditë turp më s’do të kesh për asgjë që ke vepruar duke u ngritur kundër meje, sepse atëherë prej teje do të largoj fjalëmëdhenjtë, krenarët e tu, e s’do të vazhdosh më të krenohesh përmbi Malin tim të shenjtë!

12Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë populli i përvuajtur e i varfër! Në emër të Zotit do të kërkojë strehim Teprica e Izraelit.

13Paudhësi nuk do të bëjnë më, rrena më nuk do të thonë, në gojë të tyre s’do të gjendet më gjuhë gënjyese! Por do të kullosin e do të mrizojnë pa pasur kush ti shqetësojë!”

Psalme gëzimi për Sionin

14Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit!

15E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti mes teje, s’ke pse më ta druash të keqen!

16Jerusalemit atë ditë do ti thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart!

17Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim

18porsi në ditë feste.”

Kthimi i të shpërngulurve

“Do ta tres prej teje fatkeqësinë

që kurrë më të mos jesh poshtëruar.

19Ja, unë vetë do tua tres farën të gjithë atyre që të kanë përndjekur. Në atë kohë do ta shpëtoj çalamanin, do ta sjell të humburën. Do t’u jap nder e emër të madh në çdo vend ku qenë poshtëruar.

20Po në atë kohë unë do t’ju kthej, po në atë kohë do t’ju bashkoj, do t’ju jap zë të madh e nder në sy të mbarë popujve të tokës, kur ta kryej ripërtëritjen tuaj - thotë Zoti - po në sytë tuaj!”