Të gjithë kapitujt

Sofonia · Kapitulli 2

Përfundim: grishje për kthim, II. KUNDËR PAGANËVE, etj.

15 vargje

Përfundim: grishje për kthim

1Mblidhuni, bashkohuni, o popull i padashur,

2para se të shpërndaheni e të treteni porsi byku, para se të vijë mbi ju hidhërimi i zemrimit të Zotit, para se të vijë mbi ju Dita e furisë së Zotit!

3Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvuajturit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e tij! Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë, që disi të mund të fshiheni Ditën e zemrimit të Zotit!

II. KUNDËR PAGANËVE

Armiku nga perëndimi: filistenjtë

4Ja, Gaza do të mbesë e shkretë, Askaloni do të shkretohet, Azoti në mesditë do të dëbohet, Akaroni do të çrrënjoset!

5Të mjerët ju që banoni brezin e detit, populli i Kretës! Ja fjala e Zotit kundër jush, o Kanaan, tokë filistenjsh: “Ashtu ty unë do të trrafshoj sa që në ty banorë s’do të ketë!”

6Brezi i detit po do të bëhet, mriz barinjsh e vathë bagëtish!

7Brezi i detit do ti takojë Tepricës së shtëpisë së Judës: aty do t’i kenë kullotat, në mbrëmje do të kthejnë të pushojnë në shtëpitë e Askalonit, kur t’i shohë të vijë Zoti Hyji i tyre e ta përtërijë fatin e tyre.

Armiku nga lindja: Moabi e Amoni

8“Kam dëgjuar për fyerjen e Moabit, e për të sharat e Amonit, kur e fyenë popullin tim e u lëvduan për kufijtë e tyre!

9Prandaj, pasha jetën time - thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit - Moabi Sodomë do të bëhet, bijtë e Amonit si Gomorra pronë hallugash, grumbuj kripe, shkretëtirë për jetë e mot! Pre do t’i bëjë Teprica e popullit tim, do t’i pronësojë Teprica e popullit tim!

10Ky do të jetë çmimi i krenarisë së tyre, sepse shanë edhe u krenuan kundër popullit të Zotit të Ushtrive.

11I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre, kur t’i zhdukë të gjitha hyjnitë e tokës, do të përkulen para tij, secili në vendin e vet, ishujt e të gjitha kombeve!”

Armiku i jugut: Etiopia

12“Po edhe ju, o etiopas, do të priteni prej shpatës sime!”

Armiku i veriut: Asyri

13Kundër veriut do ta ngrejë dorën, Asyrinë do ta shfarosë, shkretëtirë do ta bëjë Ninivën, vend të thatë porsi shkretëtirë.

14Mes saj do të mrizojnë grigjat, gjithfarë lloji kafshësh të gjalla. Pelikan e kukuvajkë do të pushojnë në kapitele të saj, në dritare do të buçasë huti, në prag të derës do të krokasë korbi, trau i cedrit pse i ra!

15Ky është qyteti gazmues, që jetonte në siguri, që thoshte në zemrën e vet: ‘Unë jam! Përveç meje tjetër s’ka!’ Po si kështu u bë shkretëtirë, strofull bishash?! Përbri tij kushdo kalon i fërshëllen e i bën me dorë!