Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 1

Hyji na ka folur nëpër Birin e vet, Biri më i pushtetshëm se engjëjt

14 vargje

Hyji na ka folur nëpër Birin e vet

1Mbasi Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve,

2së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë.

3Biri, që është bredhja e Lavdisë dhe vula e qenies së Hyit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenj në të djathtën e Madhërisë në qiell;

4u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!

Biri më i pushtetshëm se engjëjt

5Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë: »Ti je im Bir unë sot të linda?« Dhe prapë: »Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir?«

6Dhe prapë, kur përsëri e shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: »Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!«

7Kurse për engjëjt Ai thotë kështu: »Ai i bën engjëjt e vet erëra, shërbëtorët e vet flakë zjarri.«

8Ndërsa për Birin thotë: »Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, dhe skeptër drejtësie - skeptri i Mbretërisë sate.

9E ke dashur drejtësinë dhe e ke urrejtur padrejtësinë: prandaj, o Hyj, Hyji yt të shuguroi me bagmin e gëzimit si asnjë ndër shokët e tu«.

10Edhe: »Ti, o Zot, në fillim e krijove tokën edhe qiejt janë vepër e duarve të tua.

11Ata do të zhduken kurse ti qëndron, të gjithë do të vjetrohen si petku:

12porsi petk do t’i mbështjellësh - porsi mantel - dhe do të ndërrohen. Ti vetëm i vetmi mbetesh i njëjtë - vitet e tua nuk kanë mbarim.«

13Po e për cilin ndër engjëj tha ndonjë herë: »Më rri në të djathtën time deri t’i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?!«

14A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për të shërbyer ata që do ta trashëgojnë shëlbimin?