Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 2

Shëlbimi i madh, Autori i shëlbimit

18 vargje

Shëlbimi i madh

1Për këtë arsye na duhet t’ia vëmë shumë më mirë mendjen sendeve që kemi dëgjuar, që të mos e humbim qëllimin.

2E njëmend, në qoftë se fjala e shpallur nëpër engjëj qe e palëkundshme dhe çdo shkelje apo padëgjesë mori ndëshkimin e drejtë,

3si do të mund të shpëtojmë në qoftë se e lëmë mbas dore një shëlbim kaq të madh? Këtë shëlbim filloi ta shpallë Zoti, qe përforcuar në mesin tonë me anë të atyre që e kishin dëgjuar,

4po edhe Hyji njëkohësisht e dëshmoi me shenja, me vepra të bindshme, me mrekulli të larmishme dhe me dhurata të Shpirtit Shenjt, të ndara sipas vullnetit të tij.

Autori i shëlbimit

5Sepse Hyji nuk e ka vënë nën pushtet të engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim.

6Madje dikush diku e bëri këtë dëshmi: »Çka është njeriu që të bie ndër mend për të, biri i njeriut që të kujdesesh për të?

7E bëre për pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e nder,

8çdo gjë vure nën këmbët e tija.« Dhe duke [i] vënë çdo gjë nën këmbë, ai s’la asgjë që të mos i jetë e nënshtruar. Vërtet, tani nuk shohim ende se gjithçka është nën pushtetin e tij,

9por Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.

10Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij - ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre.

11Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12kur thotë: »Vëllezërve të mi do t’ua shpall Emrin tënd; do të lavdëroj në midis të mbledhjes.«

13Edhe më: »Në Të do ta vë shpresën.« Dhe përsëri: »Ja, unë dhe fëmijët që m’i dha Hyji.«

14Dhe, mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes - d.m.th. djallin,

15për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes.

16Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit.

17Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit.

18Dhe, vërtet, shi pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’u ndihmojë atyre që janë në sprovë.