Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 3

Jezusi është më i madh se Moisiu, Teprica e popullit të Hyjit

19 vargje

Jezusi është më i madh se Moisiu

1Këndej, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vëreni mirë të Dërguarin dhe Kryepriftin e fesë sonë - Jezusin.

2Ai është i besuari i Atij që e bëri Kryeprift sikurse ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Hyjit.

3Por në krahasim me Moisiun, Jezusi është patjetër për një lavdi më të madhe aq sa nderi i ndërtuesit e tejkalon nderin e vet shtëpisë.

4Dhe njëmend, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Hyji.

5Tashti edhe Moisiu qe i besuar në tërë shtëpinë e Hyjit, por vetëm si shërbëtor, për të qenë dëshmitar i të gjitha atyre që duheshin thënë prej Hyjit,

6kurse Krishti është si Bir mbi mbarë shtëpinë e Hyjit: shtëpia e tij jemi ne, në qoftë se e ruajmë sigurinë e plotë dhe mburrjen e shpresës.

Teprica e popullit të Hyjit

7Prandaj, sikurse thotë Shpirti Shenjt: »Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

8mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes, si në ditën e vënies në provë në shkretëtirë,

9ku më ngucën etërit tuaj dhe më vunë në provë edhe pse i panë veprat e mia

10gjatë dyzet vjetëve. Prandaj m’u ndye ajo brezni dhe thashë: ‘Gjithmonë gënjehet zemra e tyre, e nuk i marrin vesh udhët e mia’.

11Kështu u përbetova në zemërimin tim: »Kurrë s’do të hyjnë në pushimin tim!«

12Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe, të pafe që të shkëputet nga Hyji i gjallë,

13por nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo: »Sot«, që të mos »ngurohet« ndokush prej jush i ngashnyer prej mëkatit.

14Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit - merret vesh - në qoftë se qëndrojmë të palëkundshëm në shpresë deri në fund ashtu si filluam.

15Kur thuhet: »Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes.«

16kush janë, pra, ata që, mbasi e dëgjuan, u çuan në kryengritje? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17Po kush thua, qenë ata që ‘ia mërzitën për dyzet vjet?’ Vallë a jo ata që mëkatuan, ‘kufomat e të cilëve ranë nëpër shkreti?’

18Dhe cilëve ‘iu përbetua se nuk do të hynin në pushimin e tij’, në qoftë se jo atyre që nuk iu nënshtruan?

19Ne e shohim se nuk mundën të hyjnë për shkak të pabesimit.