Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 4

Jezusi Kryeprifti i madh

16 vargje

1Prandaj, le të trembemi se, deri sa mbetet premtimi të hyhet në Pushimin e tij, të mos vërtetohet për ndonjërin prej jush se ka vonuar.

2Sepse edhe ne e kemi marrë lajmin e mirë sikurse edhe ata, por atyre nuk u vlefti gjë fjala që dëgjuan sepse nuk u bashkuan me fe me ata që e pranuan fjalën.

3Në Pushim veç, vërtetisht hyjmë ne që besuam simbas fjalës që ka thënë: »Kështu, u përbetova në zemërimin tim: kurrë s’do të hyjnë në Pushimin tim.« ndonëse veprat i kishin marrë fund qysh në krijimin e botës.

4E njëmend ka thënë diku për të shtatën ditë kështu: »Dhe Hyji pushoi nga të gjitha veprat e veta të shtatën ditë.«

5E këtu prapë: »Kurrë s’do të hyjnë në Pushimin tim.«

6Mbetet, pra, se disa do të hyjnë në të dhe, mbasi ata që të parët e morën lajmin e gëzueshëm, nuk hynë për shkak të padëgjesës,

7Ai cakton rishtas një ditë - një »Sot« - duke thënë mbas sa kohe me gojë të Davidit, sikurse u tha më parë: »Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgurë.«

8Vërtet, po t’i kishte futur Jozuehu në Pushim, Hyji nuk do të kishte folur pastaj për një ditë tjetër.

9Këndej, mbetet një pushim i të shtunës për popullin e Hyjit.

10Sepse, kush hyri në pushimin e tij, edhe ai pushoi nga veprat e veta, sikurse edhe Hyji prej veprave të tija.

11Të vrapojmë, pra, për të hyrë në atë Pushim, që asnjë të mos mbarojë pas shembullit të të njëjtës padëgjesë!

12Vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës.

13Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.

Jezusi Kryeprifti i madh

14Prandaj, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë!

15Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.

16T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.