Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 5

Qortim rreth apostazisë

14 vargje

1Sepse, çdo Kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve.

2Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi.

3Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete.

4Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.

5Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: »Ti je im Bir, unë sot të linda;«

6sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: »Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.«

7Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet.

8Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm

9dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar,

10i shpallur prej Hyjit Kryeprift »në mënyrë të Melkizedekut.«

Qortim rreth apostazisë

11Lidhur me këtë çështje kemi shumë për të thënë, të vështira për t’u shtjelluar me fjalë, sepse jeni bërë të ngadalshëm për të kuptuar.

12E pra, për kah koha, duhej që të ishit tashmë mësues, kurse kështu keni nevojë t’ju mësojë dikush elementet e para të fjalëve të Hyjit. Keni arritur deri në atë gjendje të keni nevojë për qumësht dhe jo për ushqime të forta.

13Dhe njëmend, kush ende ushqehet vetëm me qumësht, nuk është i aftë të ndjekë një shtjellim mbi drejtësinë - sepse është ende foshnjë.

14Përkundrazi, ushqimi i fortë është për të rritur, për ata që i kanë shqisat e stërvitura për të dalluar të mirën e të keqen.