Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 6

Premtimi i sigurt i Hyjit

20 vargje

1Prandaj, po e lëmë njëherë mësimin fillestar mbi Krishtin dhe të kalojmë në atë që është për të rritur duke mos e vënë përsëri themelin: kthimin nga veprat e vdekura dhe besimin në Hyjin;

2mësimin mbi pagëzimet dhe mbi vënien e duarve, ngjalljen nga të vdekurit dhe gjyqin e amshuar.

3Edhe këtë do ta bëjmë në dashtë Hyji.

4Vërtet, është e pamundur që ata njerëz, të cilët qenë njëherë të shndritur, që e shijuan dhuratën qiellore, që u bënë pjesëtarë të Shpirtit Shenjt,

5që e shijuan të bukurën Fjalë të Hyjit dhe fuqitë e jetës së ardhshme,

6dhe megjithatë e borën fenë, të përtërihen rishtas me kthim, kur ata vetë përsëri e kryqëzojnë Birin e Hyjit dhe botërisht e poshtërojnë.

7Dhe njëmend, një tokë e ngirë me shi që bie shpesh në të dhe prodhon bimë të dobishme për atë që punohet, merr bekimin prej Hyjit,

8ndërsa ajo që qet murriza dhe ferra, është e pa farë vlere dhe është afër mallkimit dhe fundi i saj është: »Në zjarr!«

9Por, për sa ju përket juve, o të dashur, edhe pse flasim kështu, jemi plotësisht të bindur se ju jeni në gjendje të mirë dhe në rrugën e shëlbimit.

10Sepse, Hyji nuk është i padrejtë që ta harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që e treguat ndaj Emrit të tij, duke u shërbyer dhe duke vazhduar t’u shërbeni shenjtërve.

11Dëshirojmë veç, që secili prej jush ta tregojë të njëjtin kujdes që shpresa të plotësohet deri në fund,

12që të mos ju pakësohet zelli, por t’iu përngjani atyre që, në saje të fesë dhe të duresës, trashëgojnë të mirat e premtuara.

Premtimi i sigurt i Hyjit

13Dhe njëmend, kur Hyji i jepte Abrahamit premtimin, mbasi nuk kishte se me kë më të madh t’i përbetohej, iu përbetua me vetveten

14duke thënë: »Vërtet do të të mbuloj me bekime dhe do të të jap trashëgimtarë të panumërueshëm.«

15Kështu Abrahami duke pritur me duresë i fitoi premtimet.

16Njerëzit, veç, përbetohen me dikënd që është më i madh se ata dhe beja për ta është një garanci që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

17Kështu edhe Hyji: duke dashur në mënyrë më të plotë t’ua vërtetojë trashëgimtarëve të premtimeve palëkundshmërinë e vendimit të vullnetit të vet, u bë dorëzanë me përbetim.

18Në këtë mënyrë, në fuqi të dy veprimeve të pandërrueshme - në të cilat është e pamundur që Hyji të gënjejë - ne, që u strehuam në Hyjin, kemi trimërim të fortë të mbështetemi në shpresën që na u parashtrua.

19Atë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit »që hyn në brendinë përmbas Tisit«,

20atje, ku për ne, si pararendës depërtoi Jezusi, mbasi u bë Kryeprift i amshuar në mënyrë të Melkizedekut.