Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 11

Feja

40 vargje

Feja

1Feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen.

2Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.

3Me anë të fesë e dimë se botërat u trajtuan prej fjalës së Hyjit, në mënyrë që çka shihet u përftua nga ato që nuk shihen.

4Me anë të fesë Abeli i kushtoi Hyjit fli më të mirë se Kaini. Me anë të saj mori dëshminë se është i drejtë - Hyji u dha dëshmi dhuratave të tija - dhe, me anë të saj, edhe pse i vdekur, ende flet.

5Me anë të fesë Henoku u ndërrua vendit që të mos e shohë vdekjen dhe më nuk u gjet, sepse Hyji i ndërroi vend. E njëmend, para mbartjes mori dëshminë se i kishte pëlqyer Hyjit.

6Por pa fe nuk është e mundshme t’i pëlqehet Hyjit, sepse ai që i afrohet duhet të besojë se Hyji është dhe se i shpërblen ata që e kërkojnë.

7Me anë të fesë Noehi, i mësuar prej Hyjit për gjëra që ende nuk shiheshin, i bindur në shpirt, e punoi arkën për shpëtimin e familjes së vet; me anë të cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtari i drejtësisë që vjen nga feja.

8Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte.

9Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim,

10sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.

11Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin.

12Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumrueshme në bregun e detit.

13Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë.

14Vërtet, ata që flasin kështu, dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun.

15Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin.

16Por, tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë - d.m.th. atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.

17Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin,

18të cilit i qe thënë: »Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut,«

19plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë.

20Me anë të fesë Izaku bekoi Jakobin dhe Ezaun shi në vështrim të gjërave që kishin për të ndodhur.

21Me anë të fesë Jakobi - në fill të vdekjes - bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe, thellë u përkul i mbështetur mbi dorëzën e shkopit të vet.

22Me anë të fesë Jozefi - në fill të vdekjes - përmendi Daljen e bijve të Izraelit dhe dha urdhër lidhur me eshtrat e vet.

23Me anë të fesë Moisiu, posa i lindur, qe fshehur për tre muaj nga prindërit, sepse panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk e druajtën urdhrin e mbretit.

24Me anë të fesë Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej më djalë i bijës së faraonit.

25Më fort deshi të pësojë me popullin e Hyjit se të gëzojë për pak kohë dëfrimin e mëkatit.

26E çmoi pasuri më të madhe mundimin e Krishtit se visaret e Egjiptit, sepse i kishte sytë të ngulur në shpërblim.

27Me anë të fesë e lëshoi Egjiptin pa e druajtur zemërimin e mbretit - i patrandshëm si ai që sheh të Papashmin.

28Me anë të fesë i kremtoi Pashkët dhe bëri stërpikjen me gjak që Engjëlli vrasës të mos i prekte të parëlindurit e Izraelit.

29Me anë të fesë kaluan nëpër Detin e Kuq si nëpër tokë të thatë dhe, kur sprovuan egjiptianët, u mbytën.

30Me anë të fesë u rrëzuan muret e Jerihonit, pasi u qarkuan për shtatë ditë.

31Me anë të fesë Rakaba lavire nuk u vra bashkë me kryengritësit, sepse i priti vëzhguesit paqësisht.

32Po çka të them më? Nuk do të më dilte koha të flas për Gjedeonin, për Barakun, për Samsonin, për Jeftin, për Davidin, për Samuelin dhe për profetët,

33të cilët me anë të fesë nënshtruan mbretëri, shtinë në veprim drejtësinë, fituan premtimet, mbyllën gojën e luanëve,

34shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u shëruan nga sëmundjet, u dëftuan trima të fortë në luftë, zmbrapsën ushtritë e të huajve.

35Disa gra i fituan, me anë të ngjalljes, të vdekurit e vet. Të tjerë, të vënë në mundime, nuk e pranuan faljen, që të fitonin një ngjallje më të mirë.

36Prapë do të tjerë sprovuan poshtërime, frushkullime, madje, edhe pranga dhe burgje;

37u vranë me gurë, u sharruan, u prenë me teh të shpatës, u enden të veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skam, të nëpërkëmbur, të marrë me të keq

38- bota nuk ishte e denjë për ta - endeshin nëpër shkreti, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër gropa dheu.

39Të gjithë këta, edhe pse e morën dëshminë e mirë me anë të fesë, megjithatë, nuk morën çka u qe premtuar,

40sepse Hyji parapa diçka më të mirë për ne: që pa ne ata të mos ia arrijnë përsosmërisë.