Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 8

Kryeprifti i Besëlidhjes së re dhe të përmirësuar

13 vargje

Kryeprifti i Besëlidhjes së re dhe të përmirësuar

1Dhe ja, pika kryesore në këtë shtjellim: kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell,

2si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu.

3Meqenëse çdo kryeprift vihet për të kushtuar dhurata dhe fli, këndej edhe për Të detyra të ketë çka të kushtojë.

4Po të ishte Ai mbi tokë, nuk do të ishte as prift, sepse janë ata që në fuqi të Ligjit i kushtojnë dhuratat.

5Këta i shërbejnë figurës dhe hijes së Tendës qiellore, sikurse qe udhëzuar Moisiu, kur mendonte të ndërtojë Tendën, sepse: »Shiko - i thuhet - bëji të gjitha sipas gjedhes që të qe dëftuar në mal!«

6Por tani Krishti, fitoi një shërbesë shumë më të shquar, sepse është ndërmjetësi i Besëlidhjes më të mirë, të themeluar mbi premtime më të mira.

7Po të kishte qenë me të vërtetë Besëlidhja e parë e patëmetë, nuk ishte dashur t’i bëhej vend tjetrës.

8Sepse, duke i prozhmuar, u thotë: »Ja, po vijnë ditët - thotë Zoti - kur do të bëj me Shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re.

9Jo më sikurse Besëlidhja që pata bërë me etërit e tyre, kur i mora për dore për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Meqenëse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, prandaj as vetë nuk u kujdesova për ta - thotë Zoti.

10Dhe ja, Besëlidhja të cilën do ta lidh me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve - thotë Zoti: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i zgavëroj me shkronja në zemrat e tyre. Unë do të jem Hyji i tyre kurse ata do të jenë populli im.

11Askush nuk do ta mësojë bashkëqytetarin e vet, askush vëllanë e vet duke thënë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ndër ta,

12sepse do të kem mëshirë për fajet e tyre dhe s’do t’i kujtoj mëkatet e tyre«.

13Kur thotë »Të Renë« dëshmon se »E Para« është plakur; tashti, çka plaket e vjetrohet, është afër zhdukjes.