Të gjithë kapitujt

Hebrenjve · Kapitulli 9

Shenjtërorja tokësore dhe ajo qiellorja, Flia e Krishtit e shlyen mëkatin

28 vargje

Shenjtërorja tokësore dhe ajo qiellorja

1Patjetër, edhe Besëlidhja e parë i kishte rregulloret e kultit dhe Shenjtëroren, por tokësore.

2Dhe njëmend qe ndërtuar Tenda. Në pjesën e parë të saj ishte qirimbajtësi, tryeza dhe bukët e kushtimit, dhe quhet Shenjtërorja.

3Pastaj, mbas tisit të dytë, ishte pjesa e dytë e Tendës, që quhet Shenjtërorja e Shenjtëroreve,

4në të ishte kemorja e artë, Arka e Besëlidhjes - gjithkah e veshur me ar dhe në të ena e artë me manë, shkopi i Aronit që pati lulëzuar dhe Rrasat e Besëlidhjes.

5Përmbi arkën ishin kerubinët e Madhërisë që i bënin hije Pajtimores. Por për këtë tani nuk është vendi të flasim imtësisht.

6Pasi këto janë kështu të rregulluara, në pjesën e parë të Tendës në çdo kohë hyjnë priftërinjtë për të kryer shërbesat;

7ndërsa, në të dytën pjesë, vetëm një herë në vit dhe vetëm kryeprifti, madje jo pa gjak, të cilin e kushton për vete dhe për gabime të popullit.

8Shpirti Shenjt ka dashur kështu të dëftojë se ende nuk është shfaqur udha që çon në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, mbasi ende qëndron pjesa e parë e Tendës.

9Kjo është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme: kushtohen dhurata e fli, të cilat nuk mund ta përsosin në ndërgjegje shërbesat e kultit

10- pse të themeluara në haje e në pije dhe në larje të ndryshme - të gjitha rregullore thjesht trupore, të vlershme deri t’u vijë koha të ndreqen si duhet.

11Por erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë - d.m.th. jo të kësaj krijese

12dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.

13Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hiri i mështjerrës i shenjtëron të papastrit duke ua pastruar ritualisht trupin,

14sa më tepër Gjaku i Krishtit - i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë - do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë!

15Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që - me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë - të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përjetshëm.

16Këndej, gjithkund ka ndonjë testament është e domosdoshme të vërtetohet vdekja e atij që e bëri testamentin.

17Sepse testamenti hyn në fuqi vetëm pas vdekjes: askurrë s’ka vlerë deri sa të jetë gjallë ai që e bëri.

18Prandaj as Besëlidhja e parë nuk qe themeluar pa gjak.

19Sepse, pasi Moisiu ia shpalli mbarë popullit çdo urdhër sikurse është në Ligj, mori gjak mëzetërish e ujë, dhe me lesh të kuq e me hisop, e stërpiku Librin dhe mbarë popullin

20duke thënë: »Ky është gjaku i Besëlidhjes që Hyji ju caktoi.«

21Pastaj e stërpiku me gjak Tendën dhe të gjitha enët e shërbesës hyjnore.

22Dhe, sipas Ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe, pa derdhje gjaku nuk ka falje.

Flia e Krishtit e shlyen mëkatin

23Në qoftë, pra, se shembëllesat e realiteteve qiellore janë pastruar me rite të tilla, atëherë është e domosdoshme që vetë realitetet qiellore të pastrohen me fli më të mira se këto.

24Sepse Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të së vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit.

25Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj;

26- përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme - në mbarimin e kohës - për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes.

27Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin - e pastaj vjen gjyqi -

28kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë - jo më në lidhje me mëkate - do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.