Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 10

Kundër një mbreti të Asirisë, Teprica e vogël, etj.

34 vargje

1Mjerë ata që nxjerrin ligje të paudha, e, kur i përpunojnë, shkruajnë ligje të padrejta, për t’i shtypur në gjyq skamnorët,

2për tua shkelur të drejtën të varfërve të popullit tim, që vejushat të jenë preja e tyre, e jetimët ti plaçkitin.

3Çka do të bëni në ditë të pasisë kur prej së largu të vijë mjerimi? Te kush do të kërkoni ndihmë? Ku do ta lini thesarin tuaj?

4Sepse do të përuleni ndër të humbur o do të bini ndër të vrarë. E megjithëkëtë nuk u fashit zemërimi i tij, por gjithnjë dora e tij mbeti e shtrirë!

Kundër një mbreti të Asirisë

5Mjerë Asuri, thupra e zemërimit tim, shkop në dorën time, zemërimi im!

6Unë e dërgoj kundër një kombi të pazot, e dërgoj kundër një populli, me të cilin jam zemëruar që ta plaçkitë e ta bëjë pre, ta shkelë si baltën në rrugë.

7Porse ai s’ka menduar kështu, mendja e tij kështu s’e ka çmuar: ka menduar veç të shfarosë e të shuajë kombe jo të pakëta.

8Madje thotë: “Pse a s’janë të gjithë princat e mi mbretër?

9Pse a s’është Kalnoja porsi Karkemisi? A s’është Emati porsi Arfadi? Si Samaria, vallë, a s’është Damasku?

10Siç i pushtoi dora ime mbretëritë idhujtare, idhujt e të cilave janë më të shumtë se në Jerusalem e në Samari,

11vallë, siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj, a s’do t’ia bëj ashtu edhe Jerusalemit e truporeve të tij?”

12E kur Zoti të ketë kryer tërë veprën e vet mbi malin Sion e në Jerusalem, do ta ndëshkojë frytin e syve krenarë të zemrës së mbretit të asirianëve e të krenarisë madhështore të syve të tij.

13Sepse tha: “Veprova me fuqi të krahut tim e me urtësinë e mendjes sime, sepse jam i mençur; i zhduka kufijtë e popujve, pre i bëra thesaret e tyre, si trim që jam për tokë i rrëzova ata që rrinin në frone të larta.

14Dora ime porsi çerdhe i pushtoi pasuritë e popujve, siç mblidhen vezët e lëna e mblodha botën mbarë dhe s’u gjet kush të fluturojë me krahë as të hapë sqepin e të cicërojë!”

15Vallë, a ka si ti lavdërohet sakica atij që me të pret?! A mund t’i krenohet sharra atij që me të sharron?! Thua se thupra e sjell atë që e vërtit ose shkopi e çon atë që dru nuk është!

16Për këtë arsye Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, do të çojë ligësinë në ushtrinë e zgjedhur të tij, e nën nderin e tij një zjarri që do të djegë porsi djeg zjarri.

17Drita e Izraelit do të jetë porsi zjarri Shenjti i tij porsi flaka, do të ndizet e do t’i përpijë ferra e hallugë në një ditë të vetme.

18Madhërinë e pyllit e të kopshtit të tij do ta asgjëssojë me shpirt e trup e do të bëhet si i sëmuri që shkrihet,

19çka do të mbesë nga lëndët e pyllit aq pak do të jetë për nga numri sa që do të mund ti regjistrojë fare lehtë edhe një fëmijë!

Teprica e vogël

20E do të ndodhë atë ditë: Teprica e Izraelit dhe ata që do të shpëtojnë prej shtëpisë së Jakobit, s’do të mbështeten më mbi ata që i godasin, por do të mbështeten në Zotin, me besnikëri në Shenjtin e Izraelit.

21Te Hyji i gjithëpushtetshëm do të kthehet Teprica, Teprica, them, e Jakobit! Paralajmërimi i shfarosjes.

22Vërtet, o Izrael, edhe në qoftë populli yt si rëra e detit, prej tij do të kthehet vetëm Teprica. Është vendosur shfarosja, do të shkojë në vend drejtësia:

23Urdhrin e shfarosjes Zoti, Hyji i gjithëpushtetshëm, në vend do ta çojë mu në zemrën e mbarë vendit!

Shpresa në Hyjin

24Prandaj kështu thotë Zoti, Hyji i Ushtrive: “Populli im, që banon në Sion, frikë mos ki prej Asurit. Njëmend me thupër do të godasë, shkopin do ta ngrejë mbi ty porsi Egjipti,

25sepse edhe pak, për së shpejti, zemërimi im dhe zemërimi im do të ndizet flakë për shfarosjen e tyre!”

26Mbi të Zoti i Ushtrive me frushkull do të godasë siç goditi mbi Madianin, në Qetën e Orebit, shkopin do ta lartësojë mbi det, siç bëri në Egjipt!

27Atë ditë do të ndodhë: nga krahu yt do të hiqet barra e tij, nga qafa jote do të hiqet zgjedha e tij!

Pushtuesi

Nga Remoni po vjen shkatërrimtari!

28Ia behi në Ajat, kalon nëpër Magron, në Makmas po i shkarkon plaçkat,

29me vrap po e kalojnë vaun; në Gebë po e kalojnë natën! Dridhet Rama, Gabaa e Saulit merr arratinë!

30Gërthit me sa zë të kesh, Batgalim! Dëgjoje, Laisë! Përgjigju, Anatot!

31Medemena mori arratinë. Ikën banorët e Gabimit!

32Që sot do të ndalen në Nobe: me grusht do t’i kërcënohet malit të bijës së Sionit, kodrës së Jerusalemit!

33Ja, Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, me tërbim po i shkurton gemat, majat më të lartat u prenë, u shkurtuan majat,

34sëpata po i pret pyjet e dendura, rrafsh po bie Libani me gjithë madhërinë e vet!