Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 9

Çlirimi, Vuajtjet e mbretërisë së Veriut

20 vargje

Çlirimi

Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane.

1Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita.

2Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë.

3Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, lozën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara.

4Sepse të gjitha sandalet e luftës, e çdo petk i lyer me gjak, do të digjet, pre do të jetë e zjarrit.

5Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes.

6E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Që tani e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.

Vuajtjet e mbretërisë së Veriut

7Zoti dërgoi një fjalë kundër Jakobit e ajo ra mbi Izraelin.

8Do t’ia njohë rrjedhojat mbarë populli, efraimasit e banorët e Samarisë, të cilët thonë me krenari e me mendje të madhe:

9“Na kanë rënë tullat, do të ndërtojmë me gurë të latuar, na i kanë prerë fiqtë e egjër, do ti zëvendësojmë me cedra!”

10Kundër këtij populli Zoti i ngriti armiqtë e tij, i ngacmoi kundërshtarët e tij:

11Nga lindja Sirinë e nga perëndimi filistenjtë, që e përlugtuan Izraelin me të dy bulshinjtë. E megjithëkëtë nuk u fashit zemërimi i tij, por gjithnjë dora e tij rri e shtrirë.

12Por populli nuk u kthye kah Ai që e goditi dhe nuk e kërkuan Zotin e Ushtrive.

13Prandaj Zoti ia shkurtoi Izraelit kokë e bisht, palmë e kallam brenda një dite të vetme!

14Prijësi e bujari - këta janë koka, profeti, mësuesi i gënjeshtrës - është bishti.

15Udhëheqësit e këtij populli i ngashnjyen e të udhëhequrit u borën.

16Prandaj Zoti s’do tu gëzohet të rinjve të tij, s’do të ketë mëshirë për jetimët e të vejat e tij, sepse të gjithë janë të patenzonë e të këqij, dhe çdo gojë flet vetëm marrëzi.

17Flakë si zjarri është ndezur paudhësia, përpin hallugë e përpin ferra, ndezi zjarrin në pyll të dendur, shtylla-shtylla tymi çohet!

18Digjet vendi nga zemërimi i Zotit të Ushtrive, u bë populli shujta e zjarrit: skursen askush as vëllain e vet!

19Përlan djathtas e është i uritur, përpin majtas e nuk ngihet, mishin e të afërmit e përlan secili:

20Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun, të dy së bashku e hanë Judën! E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit, por dora e tij gjithnjë mbeti e shtrirë!