Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 14

Kthimi nga shpërngulja, Vdekja e mbretit të Babilonisë, etj.

32 vargje

Kthimi nga shpërngulja

1Për Jakobin Zoti dhimbje do të ketë, do ta zgjedhë përsëri Izraelin, prapë në tokë të vet do t’i vendosë. Edhe të huajt me ta do të bashkohen, do t’i mbështeten shtëpisë së Jakobit.

2Popujt e tjerë këta do ti marrin e do t’i çojnë në atdheun e tyre. Ata shtëpia e Izraelit në tokë të Zotit do t’i bëjë shërbëtorë e shërbëtore të veta. Ata që i patën robëruar, do të bëhen robërit e tyre, nën sundim të vet do t’i vënë ata që i patën pushtuar.

Vdekja e mbretit të Babilonisë

3Ditën kur Zoti të ketë çliruar nga vuajtja jote, e vështira, nga skllavëria e rëndë, në të cilën tu desh të shërbesh më parë,

4këndoje këtë këngë përqeshëse kundër mbretit të Babilonit. Thuaj: “Po si kështu mbaroi tirani? E si fund kështu mori shtypja?!”

5Zoti ua theu shkopin tiranëve, pushtuesve ua copëtoi lozën,

6që furishëm i godiste popujt, që i plagoste pa pushim, që i pushtonte me tërbim kombet, i përndiqte pa kurrfarë mëshire!

7Pushoi i qetë dikur mbarë dheu! Shpërthen i gëzueshëm në brohoritje!

8Mbi ty gëzohen deri bredhat edhe cedrat e Libanit: “Që kur vdiqe më kush serdhi për të na shkurtuar!”

9Deri Nëntoka u shqetësua për lajmin e arritjes sate. Në takim me ty ajo i zgjon hijet, të gjithë zotëruesit e dikurshëm të dheut, i bën të çohen nga fronet e veta të gjithë mbretërit e kombësive.

10Të gjithë të përgjigjin edhe të thonë: “Sharrove edhe ti si ne, i ngjashëm me ne u bëre!”

11Madhërisë sate iu desh të zbresë në Nëndhe, tingëllima e harpave të tua, për shtrojë ti do të kesh kalbësirën, mbloja jote do të jenë krimbat!

12Po si munde të biesh nga qielli, o Dritësjellës, biri i Agimit? U shtrove për dhe, ti që shtroje për dhe popujt anembanë!

13Ti që të thoshte mendja jote: “Në qiell do të ngrihem, lart mbi yje të Perëndisë do të ngre stolin, do të rri në malin e tubimit, në skaj të veriut.

14Do të ngjitem përsipër resh, do të jem porsi i Larti Zot!”

15Dhe ja zbrite në Nëntokë, u plandose në fund të Humnerës!

16Kush të sheh, sytë ti ngul e të vëren me plot kujdes: “Vallë, a është thua ky ai burrë, që të trandej tokën bënte, që i tundi mbretëritë,

17që shkretëtirë e bëri botën, që qytetet i rrafshoi, që të lidhurve s’u hapi burgun?

18Mbretërit e të gjitha kombeve, të gjithë me nder pushojnë në varr të vet,

19kurse ti u flake nga varri si dështaku i urryshëm, i mbështjellë me të vrarë nga shpata, të hedhur mbi pllakat e varrit si cofëtina e shkelmuar!

20S’do të varrosesh si të tjerët në varr, sepse vendin tënd shkretove, popullin tënd ti vetë e vrave: dhe askurrë më s’do të përmendet fara e njerëzve që bëjnë të keqen.

21Bëni gati masakrën e fëmijëve për të padrejtat e prindërve të tyre, që të mos ngrihen më të pushtojnë tokën e ta mbulojnë faqen e dheut.”

22“Unë do të ngrihem kundër tyre - flet Zoti i gjithëpushtetshëm - Babilonisë do t’ia shlyej emrin, s’do t’i lë as shenjë as dukë, farë as fis - është fjala e Zotit;

23pronë iriqësh do ta bëj, në kënetë uji të amullt do ta shndërroj, do ta fshij me fshesë shkatërruese, ” - flet Zoti i gjithëpushtetshëm.

Kundër Asirit

24Bëri benë Zoti i Ushtrive: “Për të vërtetë, siç mendova ashtu do të ndodhë, siç pleqërova ashtu do të ndodhë:

25Në tokën time do ta shfaros Asirin, do ta vë nën këmbë në bjeshkët e mia. Zgjedha e tij prej tyre do të hiqet, barra e tij do të bjerë prej krahut të tyre.”

26Ky është vendimi që u mor kundër mbarë tokës, kjo është dora e shtrirë kundër të gjitha kombeve.

27Sepse kështu Zoti i Ushtrive vendosi; kush mund ta bëjë të kotë? Dora e tij është e shtrirë: kush mund ta largojë?

Kundër filistinëve

28Atë vit kur vdiq mbreti Akaz u bë kjo profeci:

29“Mos u gëzo ti, o Filisteja mbarë, pse u thye shkopi që të rrihte, sepse nga rrënja e shlligës kapastreci do të dalë e pjella e tij do të jetë dragoi fluturues!

30Do të kullotin të parëlindurit e skamnorëve, të vobektit do të pushojnë në qetësi, do të bëj të vdesë urie skota jote e çka të mbetet prej teje do ta vras.

31Vajto, o derë! Lësho gjëmë, o qytet! Dridhu, Filisteja mbarë! Sepse nga veriu po vjen tymi dhe askush nuk ikën nga çetat e luftëtarëve të tij!”

32E çka do tu përgjigjet kasnecëve të popujve? “Zoti e ka themeluar Sionin, në të do të strehohen skamnorët e popullit të tij.”