Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 17

Kundër Damaskut e Izraelit, Mbarimi i idhujtarisë, etj.

14 vargje

Kundër Damaskut e Izraelit

1Profeci mbi Damaskun. “Ja, Damasku më qytet s’do të jetë, por do të jetë një gumbull rrënojash.

2Katundet e tij, përgjithmonë të lëna, do të mbesin për grigja, aty do të mrizojnë e s’do të ketë kush t’i trazojë.

3Efraimi do ta humbë qytezën, e Damasku mbretërinë. E do të ndodhë me tepricën e Sirisë siç do të ndodhë me lavdinë e izraelitëve - profeci e Zotit të ushtrive.

4Atë ditë: do të zvogëlohet lavdia e Jakobit. dhjami i trupit do t’i shkrihet.

5Do të ndodhë si atëherë kur korrësi me një dorë i mbledh kërcejtë e me tjetrën i korr kallëzat, o si kur mblidhen kallinjtë në luginën e Rafaimit.

6Do të mbesë në të si mbetet ndonjë vile o ndonjë kokërr kur shkunden ullinjtë: dy a tre ullinj në majë të gemit, ose katër, a pesë kokrra në majë të pemës frutore”, - thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

Mbarimi i idhujtarisë

7Atë ditë njeriu do të drejtohet kah Krijuesi i vet e sytë e tij do ta shikojnë Shenjtin e Izraelit,

8nuk do ti shikojë më lterët që i punuan duart e tij, që i ndreqën gishtat e tij, s’do ti shikojnë banirët e shenjtë e lterët e kemimit.

Kundër kopshteve të Adonisit

9Atë ditë do të braktisen fortesat e tua si qytezat që i lëshuan hevenjtë e amorrenjtë para fytyrës së bijve të Izraelit, e do të bëhet një shkretim i madh,

10sepse e harrove Hyjin Shëlbuesin tënd, e nuk e kujtove qetën e shpëtimit tënd: këndej edhe mbjell pemë të ëmbla edhe vë pinjollë të huaj.

11Ditën e mbjelljes ti edhe i thur, në mëngjes fara jote lulëzon, por kotshkon korrja në ditë të vështirë, ditën e sëmundjes së pashërueshme.

Vërshim popujsh

12Eu! Poterë popujsh me shumicë, ushtojnë porsi ushtima e detit, zhurmë popujsh që bëjnë potere, porsi zhurma e ujërave të mëdha!

13Gjëmojnë popujt porsi ujërat kur vërshojnë, por me kërcënimin e Tij në ikje vihen, porsi bykun i humbet era maleve, porsi pluhurin në vorbull të erës së stuhisë!

14Në mbrëmje shkaktojnë tmerrim, para agimit, ja, nuk janë! I tillë është fati i rrëmbyesve tanë, fati i atyre që na plaçkitën.