Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 2

Paqja e përhershme, Shkëlqimi e madhëria e Zotit

22 vargje

Paqja e përhershme

1Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judën e Jerusalemin.

2Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.

3Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e tij e të ecim shtigjeve të tij, ” sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

4Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë.

5Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!

Shkëlqimi e madhëria e Zotit

6Po, ti e përbuze popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me shortarë të lindjes e me fallxhorë porsi filistenjtë dhe ua shtrijnë dorën të huajve.

7Toka e tij është plot me argjend e me ar, visaret e tij janë të pambarim.

8Vendi i tij është plot me kuaj, të panumërta janë karrocat e tij. Plot është vendi i tij me idhuj: adhurojnë veprat e duarve të veta, që i punuan gishtat e tyre.

9U përul vdekatari, për dhe u përvujtërua burri: Ti falje mos u jep!

10Futu në shpellë, fshehu në pluhur para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para shkëlqimit të madhërisë së tij,

11Sytë krenarë të njeriut do të përvujtërohen, do të kërruset madhështia e njerëzve: atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti.

12Po, ajo do të jetë dita e Zotit të Ushtrive, për të përulur çdo krenar e madhështor, kundër çdo madhështie për ta përulur;

13kundër çdo cedri të lartë e të madh të Libanit, kundër të gjithë lisave të Basanit,

14kundër të gjitha bjeshkëve të larta kundër të gjitha kreshtave të mprehta,

15kundër çdo pirgu të lartë, kundër çdo muri të forcuar,

16kundër të gjitha anijeve të Tarsisit dhe kundër të gjitha anijeve luksoze.

17Do të përulet krenaria njerëzore, do të përulet madhështia e të mëdhenjve: vetëm Zoti atë ditë do të lartësohet,

18copë e grimë idhujt do të bëhen.

19Do të hyjnë ndër zgavrra tani e do të struken nëpër shpella të tokës para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para lavdisë së tij kur të çohet ta dridhë tokën.

20Atë ditë njeriu do tua flakë idhujt e vet të argjendtë e idhujt e artë që i punoi për vete për t’i adhuruar, minjve e lakuriqëve,

21e do të hyjë në biga të qetave e në shpella të shkëmbinjve para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para shkëlqimit të madhërisë së tij, kur të çohet ta dridhë tokën.

22Pushoni së shpresuari në njeriun, jeta e të cilit është vetëm një frymë në vrimat e hundës. Çvlerë mund të ketë pra, ai?