Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 24

4. APOKALIPSA, Gjyqi i Zotit, etj.

23 vargje

4. APOKALIPSA

Gjyqi i Zotit

1Ja, Zoti po e shkatërron tokën, copë po e bën, po ia shëmton fytyrën, banorët po ia shpërndan!

2Njësoj do ti ndodhë popullit e priftit, skllavit e zotërisë, skllaves e zonjës, blerësit dhe shitësit, huadhënësit e huamarrësit, si atij që jep si atij që merr.

3Toka do të shkatërrohet krejtësisht, pa mëshirë pre do të bëhet: sepse Zoti e ka thënë këtë fjalë!

4Vajton toka, po lëngon, po shkrihet, po lëngon bota, qielli e toka janë në lëngim.

5Prej banorëve të vet toka u dhunua, sepse e shkelën Ligjin, thyen urdhrin, thyen Besën e përjetshme.

6Këndej mallkimi tokën po e përpin, rrjedhojat po i pësojnë banorët; këndej po shuhen banorët e saj e s’kanë mbetur, përveç fort pak njerëz.

Qyteti i shpartalluar

7Vajton mushti, lëngon hardhia, rënkojnë të gjithë ata që u gëzohej zemra!

8Pushoi gëzimi i tupanëve, u zhduk zhurma e të gëzuarve, heshti i cetrës ting’lli i ëmbël.

9Spihet më vera me këngë, kush e pi farmak i duket.

10U rropos qyteza e kotësisë, u kyç çdo shtëpi që kush brenda të mos hyjë;

11britmë n’për sheshe pse verë s’ka, është zhdukur çdo hare, çdo galdim u zhduk nga vendi.

12U shua, u shkretua qyteza, copë e grimë dera u bë!

13Sepse kjo gjë do ta gjejë tokën, mes popujve do të ndodhë sikurse kur ullinjtë shkunden, sikur pas vjeljes mblidhen kokrrat.

14Ata zërin do të lartësojnë, do të këndojnë madhërinë e Zotit, nga deti do të brohorisin.

15Këndej, pra, Zotit brohoritini në Lindje, në ishuj të detit Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit!

16Në skaje të botës dëgjojmë lavde: “Lavdi të Drejtit!” Unë thashë: “Emnesë, emnesë! Vaj për mua!” Të pabesët besën e thyen, me pabesë e thyen besën të pabesët!

17Tmerr e gropë e lak mbi kokë i ke, banori i tokës!

18E do të ndodhë: kush nga tmerri do të shpëtojë, në gropë do të bjerë, nga humnera kush do të dalë, në lak do të bjerë, sepse hapur janë ujëpritëset e qiellit dhe u trandën themelet e tokës!

19Toka hapet, grimë po bëhet, po copëtohet, toka po thërmohet, toka dridhet, tmerrshëm tundet,

20ço e rrëzo, porsi i dehuri këmbadoras, dridhet thua se s’është, por çadër; e keqja e saj mbi të peshon, e rrëzon, s’e lë të çohet!

21E atë ditë kështu do të ndodhë: Zoti rreptë do ta ndëshkojë atje lart ushtrinë në lartësi e mbi tokë mbretërit e tokës,

22do të mblidhen të lidhur në humnerë, në pranga do të mbyllen në burg e pas shumë kohe do të ndëshkohen.

23Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli, sepse do të mbretërojë Zoti i Ushtrive, në malin Sion e në Jerusalem Lavdia e tij do të shkëlqejë në praninë e pleqve të vet.