Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 26

Kënga e ngadhënjimit, Psalmi, etj.

21 vargje

Kënga e ngadhënjimit

1E atë ditë do të këndohet kjo këngë në tokën e Judës: “Qytezën e kemi të fortë, na e ndërtoi Ai për shpëtim, ndërtoi mure e paramure.

2Hapni dyert: le të hyjë populli i drejtë që e mban besën.

3Shpirti i të cilit s’ka luhatje; ruaja paqen, sepse në ty e ka vënë shpresën.

4Kini shpresë në Zotin gjithherë, sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

5sepse i shkatërroi banorët e lartësisë, e rrënoi qytezën e paafrueshme, e rrafshoi me tokë, e copëtoi e bëri pluhur.

6E shqelmon këmba, e shkelin këmbët e skamnorëve, e rrahin gjurmët e të vobektëve.”

Psalmi

7Udha e të drejtit është e drejtë, të drejtit ti ia rrafshon shtegun,

8Udhës që endin gjyqet e tua, ne, o Zot, në ty shpresojmë; Emri yt e kujtimi yt është dëshira e shpirtit tonë.

9Shpirti im të dëshiron natën, me mend të mia, në veten time të kërkoj. Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, banorët e botës e mësojnë drejtësinë.

10Nëse i paudhi merret me butësi, ai askurrë s’e mëson drejtësinë; në tokë të drejtësisë ai vepron të keqen, e s’e sheh madhërinë e Zotit.

11E lartësuar është, o Zot, dora jote e ata s’e shohin; le ta shohin, të turpëruar, dashurinë për popullin tënd, i përpiftë zjarri i bërë gati për armiqtë e tu.

12Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, pasi ti të mbarën ua jep gjithçkaje që ne ndërmarrim.

13O Zot, Hyji ynë, të tjerë zotërues, përveç teje, na zotëruan, porse ne vetëm ty, Emrin tënd e kujtojmë.

14Të vdekurit më nuk do të ngjallen, hijet më nuk do të ringjallen; këndej edhe i ndëshkove, i zhduke, zhduke çdo kujtim të tyre!

15E shtove popullin, o Zot, e shtove popullin, e u madhërove; i shtrive kufijtë e tokës.

16Ty, o Zot, të kërkuan në ngushticë, t’u lutën në provë, kur ti i ndëshkoje.

17Si shtatzëna, kur për të lindur i afrohen dhimbjet, me ofshama bërtet nga dhimbjet e veta, të tillë u bëmë përpara teje, o Zot.

18Ngjizëm, në dhimbje jemi thua se do të lindim: lindëm erë; vendit shpëtim nuk i sollëm, as nuk lindën banorët e botës.

19Por përsëri do të rijetojnë të vdekurit, të vrarët e mi do të ringjallen. Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur, sepse vesa jote është vesa e dritës edhe toka hijet e të vdekurve në dritë do ti nxjerrë!

Kalimi i Zotit

20Nisu, populli im, hyr në dhomat e tua, mbylle pas vetes derën, fshehu për pak kohë derisa të kalojë zemërimi.

21Sepse, ja, Zoti po del nga banesa e vet, për t’i ndëshkuar fyerjet që ia bënë banorët e tokës. Edhe toka do ta vjellë gjakun që është derdhur mbi të dhe më s’do ti fshehë të vrarët e vet.”